2009-11-20 18:01:34

Kardinali Kasper pohon: me anglikanët do të vijojmë të ecim në vijën e Koncilit II të Vatikanit. Nesër takimi i Primatit anglikan me Papën


(20.11.2009 RV)Kisha katolike, edhe në rastin e anglikanëve, nuk e ka ndryshuar vijën e përcaktuar në këtë këndvështrim nga Koncili II i Vatikanit. Këtë pohoi dje kardinali Valter Kasper, kryetar i Këshillit Papnor për nxitjen e bashkimit të të krishterëve, duke folur në Universitetin Papnor Gregorian, në praninë e primatit anglikan, Rouan Uiljams.
“Parimet katolike të ekumenizmit – tha kardinali Kasper në fjalimin e tij, botuar në gazetën vatikanase ‘L’Osservatore Romano’ – shprehur nga Koncili në dekretin Unitatis redintegratio, domethënë ekumenizmi në vërtetësi e dashuri, kanë të njëjtën vlerë edhe për të ardhmen. Dekreti ishte e mbetet magna charta e shtegtimit tonë ekumenik drejt ardhmërisë. Kjo vlen edhe për zhvillimet e kohëve të fundit, kur individë të veçantë ose grupe njerëzish të konfesioneve të tjera të krishtera, posaçërisht të Bashkimit Anglikan, për hir të Zotit e duke dëgjuar zërin e ndërgjegjes së tyre, dëshirojnë të bashkohen me Kishën katolike, duke ruajtur elementet e ligjshme të traditës së tyre liturgjike e shpirtërore. Në se ky bashkim do të përfundojë me sukses, nuk mund të flitet për ekumenizëm të ri, siç shkruajnë disa mjete të komunikimit, të cilat e kanë për detyrë t’i njohin më mirë argumetet që trajtojnë e pastaj marrin pendën për të shkruar.
Këtë theksoi kardinali Kasper në takimin, organizuar nga dikasteri për nxitjen e bashkimit të të krishterëve, me rastin e njëqind vjetorit të lindjes së kardinalit Vilebrands, protagonist i ekumenizmit.
Kujtojmë se Kryeipeshkvi i Kantërburit dhe primat i Bashkimit Anglikan, Rouan Uiljams, nesër do të të takohet me Atin e Shenjtë në Vatikan.







All the contents on this site are copyrighted ©.