2009-11-19 15:50:21

Problemet e botës dhe doktrina shoqërore e Kishës.


(19.11.2009 RV)Mbrojtja e familjes dhe e jetës në Amerikën Latine dhe në Europë; procesi i dialogut dhe liria fetare në Azi; sulmet kundër bashkësive të krishtera; zgjedhjet presidenciale në SHBA dhe temat etike. Këto janë, ndër tjera, pikat kyçe që përmban raporti i parë mbi doktrinën e krishterë të Kishës nëpër botë, botuar sot me nismën e observatorit ndërkombëtar “Kardinali van Tuan”.
Raporti, - hartuar nën kujdesin e kryeipeshkvit Xhampaolo Krepaldi, ipeshkëv i Triestes dhe kryetar i observatorit, dhe nga drejtori Stefano Fontana, - analizon sistematikisht prodhimin, përhapjen, kërkimin dhe zbatimin në praktikë të mësimeve të Kishës nëpër botë për vitin 2008. Struktura e punës është mjaft e ndërlikuar. Pas paraqitjes, fillon analiza e magjisterit të Benediktit XVI, në formë qoftë të magjisterit të zakonshëm, qoftë të jashtëzakonshëm. Më tej raporti shqyrton gjendjen në të pesë kontinentet, duke i informuar lexuesit për ngjarjet politike, ekonomike dhe shoqërore, që lidhen drejtëpërsëdrejti me doktrinën shoqërore të Kishës. Ajo që bie në sy është shqyrtimi i imtësishëm i të ashtuquajturit “problem i vitit 2008”: kriza ushqimore, energjitike dhe financiare. Analiza përfundon me kronologjinë e ngjarjeve më kryesore nëpër botë.
Ndër burimet kryesore që janë marrë si pika referimi është vetë siti internet i observatorit (www.vanthuanobservatory.org) i cili ditë për ditë kryen monitorimin e ngjarjeve nëpër botë.
Për çdo kontinent dalin, pra, problematika të cilave kishat vendore duhet t’iu bëjnë ballë. Sulmi laicist mbi temat që kanë të bëjnë me jetën dhe familjen dalin në kapitujt që kanë të bëjnë, për shembull, me Amerikën Latine dhe Evropën.







All the contents on this site are copyrighted ©.