Gavril Dara i Riu, poeti arbëresh në përvjetorin e vdekjes
(19.11.2009 RV)Pas Jeronim De Radës, Gavril Dara i Riu është poeti më i shquar
arbëresh, i cili vdiq si sot me 19 nëntor të vitit 1885 në mjerim duke lënë gjashtë
fëmijë ende të mitur. Bota e letrave shqipe sot pra përkujton përvjetorin
e ndarjes nga jeta të patriotit arbëres , poetit, gazetarit, historianit dhe arkeologut
Gavril Dara i Riu. Bir i Andrea Darës e nip i Gavril Darës "Plakut"
- emra të shquar të një familjeje arbëreshe, që i dha shumë Rilindjes sonë Kombëtare,
Gavril Dara (i Riu), lindi 182 vjet më parë, më 8 janar 1826, në fshatin sicilian
Palac Adriano. Mësimet e para i kreu në seminarin italo-arbëresh të Palermos,
fidanishte shqiptarësh të kulturuar e patriotë. Më pas vijoi studimet për drejtësi,
duke ecur në gjurmët e traditës familjare. Iu desh ta ushtrojë profesionin në shumë
qytete të italisë, ku u bashkua me garibaldinët, në luftë për pavarësinë dhe bashkimin
e Italisë. Më 1871-74 drejtoi në Romë gazetën politike "La Riforma" të Frano
Krispit, edhe ky arbëresh, shumë i njohur në politikën italiane të kohës dhe objekt
i satirës së Atë Fishtës, i cili e sulmoi ashpër për qëndrimin negativ ndaj fateve
të Atdheut të të parëve. Ndoshta prandaj, i zhgënjyer, Dara do të largohej shpejt
nga drejtimi i gazetës e nga çdo veprimtari politike.Njeri me kulturë poliedrike,
Gavril Dara i Riu u muar me poezi, drejtësi, filozofi e arkeologji. Hartoi
një fjalor italisht-shqip e botoi vëllimin me vjersha titulluar "Disa poezi", ndërmjet
të cilave "Himni i Garibaldit. Por kryevepra e tij mbetet poema epiko-lirike "Kënga
e sprasme e Balës" që pasqyron epopenë e lavdishme 25 vjeçare të shqiptarëve të udhëhequr
nga Gjergj Kastrioti në mbrojtje të lirisë dhe pavarësisë së Shqipërisë kundër zgjedhës
osmane. Kjo është vepra e vetme në shqip që na ka arritur prej tij, "Kënga e sprasme
e Balës" dhe është një ndër kryeveprat e letërsisë shqipe. Dara i Riu vlerësohet
si poet romantik, që mishëron të gjitha tiparet e Rilindjes Kombëtare. Vdiq në Girgjenti
më 1889, ndërsa ishte tërhequr plotësisht nga jeta politike, duke iu kushtuar kryesisht
arkeologjisë dhe gjuhës shqipe.