2009-11-18 11:03:10

Sot me 18 nëntor kalendari Kishtar përkujton Kushtimin e Bazilikave të Shën Pjetrit e të Shën Palit, Apostuj në Romë


(18.11.2009 RV)Princat e Apostujve, Pjetri e Pali, kremtohen gjithnjë së bashku nga liturgjia romake. Dy bazilikat, trofe e martirizimit të tyre, u ngritën pikërisht atje ku Pjetri e Pali derdhën gjakun për Krishtin e ku edhe u varrosën. Cak shtegtimesh të vazhdueshme në rrjedhë shekujsh, janë simbol i bashkimit dhe i karakterit apostolik të Kishës së Romës.
Në Martiriologun Romak, për bazilikën e Shën Pjetrit, shkruhet: “Kjo bazilikë, e ndërtuar nga perandori Kostandin mbi kodrën e Vatikanit përmbi varrin e Shën Pjetrit, e dëmtuar rëndë nga koha dhe e rindërtuar në formë më të zgjeruar, u shugurua përsëri më 18 nëntor.
Tjetra bazilikë, në rrugën Ostiense, e ndërtuar nga perandorët Teodosi e Valentiniani e pastaj e shkatërruar nga një zjarr i tmerrshëm, u rindërtua përsëri e u kushtua më 10 dhjetor. Me përkujtimin e tyre të përbashkët, shprehet simbolikisht vëllazërimi ndërmjet dy Apostujve dhe uniteti i Kishës.
Ky përkujtim i kushtimit të bazilikave të Apostujve është një rast i ri, i katërti gjatë vitit, që na nxit të reflektojmë për figurat e për veprat e dy Princave të Apostujve e edhe për kultin e jashtëzakonshëm që gëzojnë që prej dymijë vjetësh ndërmjet besimtarëve.
Posaçërisht Bazilika e Shën Pjetrit në Vatikan është në qendër të vëmendjes së kronikës, për shkak të kremtimeve papnore, që mbahen shumë shpesh brenda mureve të saj ose në Sheshin para saj.
Ndërsa të gjithë e kanë në sy e në zemër pamjen e 2. 500 Etërve të Koncilit II të Vatikanit, Koncil i cili u shpall nga Papa Gjoni XXIII pikërisht nga bazilika e Shën Palit jashtë Mureve të Romës.







All the contents on this site are copyrighted ©.