Papa në audiencën e përgjithshme: katedralet e Mesjetës na kujtojnë se bukuria është
rrugë mahnitëse për ta takuar Zotin.
(18.11.2009 RV)Bukuria është ndoshta rruga më tërheqëse e më mahnitëse, për
të arritur në takimin me Zotin e për ta dashur Atë. E pohoi këtë Papa Benedikti XVI
në audiencën e përgjithshme, mbajtur sot paradite në Sallën e Palit VI në Vatikan,
gjatë së cilës shpjegoi sesi arti romanik e gotik, i simbolizuar në katedralet, krijoi
kushtet e përshtatshme për të edukuar në fe brezni të tëra të krishtera gjatë periudhës
së Mesjetës. Papa iu drejtua simbolikisht artistëve, të cilët do t’i takojë të shtunën
e ardhshme e, në përfundim të takimit të së mërkurës, bëri thirrje në favor të të
gjithë fëmijëve që vuajnë, kudo në botë, 20 vjet pas adoptimit të Konventës së OKB-së
për të drejtat e fëmijës.
“Ndodh që bota (...) duke flakur nga trupi leckat
e vjetra, dëshiron të vishet kudo me rrobet e bardha të kishave të reja”. Bota e
përshkruar me këto fjalë të Rodolfo Glabros (Rudolfit të Shogët), murg i lashtë francez,
njëri nga kronistët më të mëdhenj mesjetarë – është ajo që, duke u nisur nga shekulli
i 11-të, për të vijuar deri në të 13-tin, pa duke u ngritur në Evropë një numër tejet
të madh Kishash, të reja ose të rindërtuara, ndërmjet të cilave spikasin katedralet,
që Papa i quajti “lavdia e vërtetë e mesjetës së krishterë”. Jemi në një botë me qytete
e mirëqenie gjithnjë më të përhapur, që përmes rrugëzgjidhjeve arkitektonike ose
artistike dëshiron të shprehë, me forma të reja arti, rizgjimin e shpirtrave, me burim
në zellin shpirtëror të monakizmit. Në këtë audiencë Benedikti XVI nuk u ndalua
tek portreti i ndonjërit nga mendimtarët e mëdhenj kristianë të Mesjetës e tek kryevepra
e tij teologjike, por tek kryeveprat e artit romanik e gotik, protagoniste të kësaj
epoke. Zhvilloi, kështu, një katekizëm të pasionuar e rrëmbyes, nisur nga analiza
e tharmit, që solli lindja e stilit romanik: “Arkitektët zbulonin rrugë teknike
gjithnjë më të përpunuara për të shtuar përmasat e ndërtesave, duke siguruar njëkohësisht
qëndresën e madhështinë e tyre (...). Lindën kështu kishat e katedralet romanike,
të cilat dallohen për navatat e gjata, që mund të zinin një numër gjithnjë më të madh
besimtarësh; kisha shumë të forta, me mure të trasha, me qemere prej guri e me vija
të thjeshta”. Nga veriu i Francës së viteve 1300 e 1400 – vijoi Papa –
u përhap një tip tjetër arkitekture kishtare: gotiku. Në se romaniku i kushtonte vëmendje
përmasës së gjatësisë, gotiku – tha Papa – parapëlqeu lartësinë, harqet e mprehta,
zhvillimin vertikal e ndriçimin shumëngjyrësh. Harqet e mprehta gotike, ndonëse nuk
duken shumë të forta, e shpërndajnë peshën e gurëve njëlloj mbi të gjitha shtyllat
e katedrales. Janë harqet që e mbajnë karabinanë. Kështu nuk ndjehet nevoja për të
bërë mure tepër të trasha, ndërsa mund të realizohen hapësira të mëdha për vetratat.
Si rezultat ndërtesa mbushet me dritë e me ngjyra mahnitëse: “Katedralet
gotike ishin sintezë e fesë dhe e artit, shprehur me harmoni përmes gjuhës universale
e mahnitëse të bukurisë, që vijon të na mrekullojë edhe sot e kësaj dite. Falë ngritjes
së qemereve me harqe të mprehta, që mbështeteshin mbi shtylla të fuqishme, u bë e
mundur të rritej ndjeshëm lartësia. Hovi i ndërtesës drejt lartësive tingëllonte
si ftesë për t’u lutur, duke e bërë vetë ndërtesën një lutje prekëse. Katedralja gotike
përpiqej të shprehte kështu, me vijat e saj arkitektonike, dëshirën e pashuar të shpirtërave
për t’u lartuar drejt Zotit”. Papa krahasoi edhe rrugët që u zgjodhën
për zbukurimin e ndërtesave kishtare në të dy stilet. Skulpturat romanike, risi në
zbukurimin e Kishave, kishin prirjen për t’i edukuar besimtarët me përshtypje të forta.
Këtë funksion e kryenin posaçërisht portalet e Kishave, që ndajnë tempullin dhe hapësirën
kishtare, nga pjesa për përdorim të përditshëm. Ndërsa në katedralet gotike, vëmendjen
ta tërheqin posaçërisht vetratat e realizuara me ngjyra të ndezura, që e shndërrojnë
historinë e shëlbimit në një ujëvarë drite, e cila nuk mund të mos e tërheqë shikimin
e njeriut, që hyn në ngrehina të tilla. Një vlerë tjetër e katedraleve gotike – shpjegoi
Papa - qëndron në faktin se në ndërtimin e në zbukurimin e tyre: “… në mënyrë
të ndryshme, por të njëzëshme, merrte pjesë e gjithë bashkësia e krishterë e civile:
merrnin pjesë të varfër e të pasur, analfabetë e dijetarë, sepse katedralja ishte
shtëpia e përbashkët, në të cilën edukoheshin në fe të gjithë besimtarët. Skulptura
gotike i bëri katedralet ‘Bibël guri”. Në sfond të këtyre pohimeve të Benediktit
XVI duhet vërejtur ngjarja e shumëpritur e së shtunës së ardhshme, kur Papa do të
takohet, në Vatikan, me disa qindra artistë nga mbarë bota. Prandaj Ati i Shenjtë
pohoi se dëshiron ta ripropozojë lidhjen e miqësisë ndërmjet përshpirtërisë e artit,
që e patën në qendër të vëmendjes Pali VI e Gjon Pali II: “Një artist, që
e dëshmoi gjithnjë takimin e estetikës me fenë, Mark Shagal, ka shkruar se ‘ piktorët
në shekuj e ngjyen penelin e tyre në këtë alfabet ngjyrash, që është Bibla’. Kur
feja, posaçërisht e kremtuar në liturgji, takohet me artin, krijohet një përkim i
thellë, sepse të dyja mund e duan të flasin për Zotin, duke e bërë të dukshëm, të
Padukshmin”. E, duke cituar Shën Agostinin kur pohon se në bukurinë e natyrës
e të krijesave shikon pasqyrimin e ‘Bukurisë së pandryshueshme’ të Krijuesit, Benedikti
XVI e përfundoi katekizmin me fjalët: “Të dashur vëllezër e motra, Zoti na
ndihmoftë ta zbulojmë rrugën e bukurisë, si një nga shtigjet, ndoshta më tërheqëse
e më mahnitëse, në përpjekjen për ta takuar e për ta dashur Zotin”. Gjatë
përshëndetjeve, Benedikti XVI kujtoi veçanërisht pjesëmarrësit në plenaren e Kongregatës
për Ungjillëzimin e Popujve, të cilët i falënderoi për impenjimin bujar në favor të
përhapjes së mesazhit ungjillor. Në përfundim të audiencës, Papa kujtoi se pasnesër,
pranë Kombeve të Bashkuara do të organizohet Dita Botërore e Lutjes dhe e Veprimtarisë
për Fëmijët.