2009-11-17 17:27:07

Vatikani kërkon ridimensionimin e së drejtës së vetos për 5 të mëdhenjtë e OKB-së


(17.11.2009 RV)RealAudioMP3 Nga viti 1993 ka nisur në OKB debati për mënyrën e zgjerimit të Këshillit të Sigurimit. Këto ditë, vëzhguesi i përhershëm i Vatikanit në Kombet e Bashkuara, imzot Çelestino Miliore parashtroi një problem, që ka mbetur në hije: atë të kufizimit të së drejtës së vetos për pesë anëtarët e përhershëm, për SHBA-të, Rusinë, Kinën, Francën e Britaninë e Madhe. Që nga viti 1945, këta lloj aksionistësh të mëdhenj e kanë përdorur 279 herë të drejtën për të bllokuar rezolutat ndërkombëtare, e në shumë raste, denoncoi Selia e Shenjtë, kanë ngadalësuar, ose penguar proceset e paqes. Gjithsesi imzot Miliore, në kundërshtim me vende të tjera, si për shembull Libia e Gedafit, sqaroi se nuk është koha për heqjen e së drejtës së vetos, por për një reformë të saj.
Vëzhguesi i Vatikanit nuk dha shembuj konkretë, por mjafton të shfletohen arkivat për të parë sa herë SHBA-të kanë përdorur veton në mbështetje të politikës izraelite në territoret palestineze, apo të aparteidit jugafrikan, ose sa herë e ka përdorur Rusia në mbrojtje të Serbisë në luftrat ballkanike të viteve ’90, deri në veton kineze kundër dërgimit të vëzhguesve në Birmani, gjatë revoltës së murgjërve budistë kundër regjimit.
“Anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së – theksoi imzot Miliore – duhet të impenjohen të mos e përdorin veton në rastin e situatave ku ka genocid, krime kundër njerëzimit, krime lufte dhe dhunime të rënda të së drejtës humanitare ndërkombëtare”.







All the contents on this site are copyrighted ©.