2009-11-17 17:26:49

Të kthehen zemrat për të mundur urinë: mbi fjalimin e Papës në FAO, komenti i imzot Gandolfos për ipeshkvijtë italianë


(17.11.2009 RV)Njohja e “vlerës trashendentale” të çdo njeriu mbetet hapi i parë për të favorizuar kthimin e zemrave, e kështu mbështetet impenjimi për të çrrënjosur mjerimin. Kjo është një nga frazat kyçe të fjalimit të Papës Benedikti XVI në mbledhjen e FAO-s mbi sigurinë ushqimore, e cila u hap dje në Romë. Të dëgjojmë opinionin e përgjegjësit të Shërbimit për ndërhyrjet e bamirësisë në favor të Botës së Tretë, imzot Xhovani Batista Gandolfo, nga Konferenca Ipeshkvnore Italiane:
Sot, i jepet shumë rëndësi e shumë hapësirë “njeriut ekonomik”, apo “njeriut politik”. Në të kundërt i jepet shumë pak vend “njeriut fetar”. E pra, pikërisht me përvojën fetare e në veçanti, me përvojën e krishterë, arrihet ajo vlerë trashendentale për të cilën flet Ati i Shenjtë. Është kjo vlerë ajo, që favorizon kthimin e mendjeve e të zemrave. Fillimi i frymës së solidaritetit, i humanizimit të njeriut, qëndron pikërisht tek kthimi i zemrave dhe i mendjeve, pasi vetëm përmes këtij kthimi çrrënjosen me të vërtetë të gjitha format, që na largojnë nga respekti për burrin e gruan e ditëve tona.
“Ka bukë për të gjithë”, pohoi Papa në FAO, është egoizmi ai që prodhon mjerimin. Sipas jush, është e nevojshme të ndryshohet mënyra e jetesës, siç tha dje Papa, por siç ka shkruar edhe në Enciklikën “Caritas in veritate”?
Sigurisht. Besoj se ndryshimi i jetës është një nga pikat e para të të krishterit, megjithëse sot kemi pak respekt për vlerat e vërteta të ekzistencës. Një nga këto situata ka të bëjë pikërisht me njerëzit që vuajnë nga uria. Nëse nuk ndryshojmë mënyrën e jetesës nuk mund t’i ndihmojmë këta njerëz. Do të thuhen fjalë të bukura, por pastaj duhet Ati i Shenjtë për të treguar faktikisht se ka mundësi të papërdorura për të ushqyer njerëzit.
Pikërisht mbi mënyrën se si mund të bashkëpunojnë popujt ndërmjet tyre, për të zhdukur urinë, pyetëm presidentin e Koordinimit të nismave popullore të solidaritetit ndërkombëtar, Guido Barbera:
Ne duhet të bindemi – siç nënvizoi dje me të drejtë Ati i Shenjtë – se bashkëpunimi nuk është problem i tregut. Bashkëpunimi ndërkombëtar nuk janë ndihmat. Bashkëpunim do të thotë respektim i të drejtave dhe dinjitetit të qenieve njerëzore, prandaj ai fillon nga rizbulimi i marrëdhënieve ndërmjet personave e nga një politikë e bërë nga njeriu për njeriun, pra nga një politikë, që u përgjigjet me të vërtetë problemeve. Por, gjatë kohëve të fundit, politika po e kthen në tregti çdo problem. Kur ne flasim për nevojën e ujit e të ushqimit e trajtojmë problemin thjesht në planin tregtar, pra kur do të arrijë personi të blejë ujë, apo ushqim. Nëse flasim për të drejta – të cilat duhet të jenë baza e politikës – përballimi i këtyre problemeve bëhet komunitar e në këtë rast s’ka tjetër veçse kësaj: kemi një popullsi botërore, së cilës i duhet njohur e drejta për t’u ushqyer, për të pirë ujë, për t’u arësimuar, për të pasur shëndetësi. Pra, elementet thelbësore për të jetuar jo si zhele të harruara, por si persona me dinjitet.







All the contents on this site are copyrighted ©.