2009-11-17 18:40:31

Takimi ndërmjet Barak Obamës dhe Hu Zhintaos – një marrëveshje pa pyetje.


(17.11.2009 RV)Sot paradite presidenti amerikan Barak Obama u takua në Pekin me presidentin kinez Hu Zhintao. Mjetet e informimit e quajtën ngjarjen prova për një takim të madh të G2. Ishte kjo vizita e parë e presidentit Obama në Kinë e që mori një domethënie të veçantë në arenën e marrëdhënieve ndërkombëtare.
Gazetarët më të njohur amerikanë e quajtën takimin ndërmjet dy presidentëve një “epokë të re në marrëdhëniet ndërmjet SHBA dhe Kinës”, si formim të një boshti të ri aleance me peshë ndërkombëtare. Ndoshta si përpjekje të SHBA për t’u lidhur me një aleat të fuqishëm në Lindjen e largët duke kapërcyer ato tradicionalë si Evropa.
Gjatë takimit Obama dhe Hu Zhintao biseduan për bashkëpunimin mbi një varg çështjesh që lidhen me klimën, tregtinë por edhe për Korenë e veriut, Iranin etj.
Nga njëra anë presidenti Obama foli për të drejtat e njeriut, për lirinë, për rifillimin e bisedimeve të kinezëve me Dalai Lamën, por nga ana tjetër presidenti Obama njohu sovranitetin e Pekinit mbi Tibetin dhe Tajvanin. Në deklaratën e përbashkët të dy presidentët nënvizuan se do të ketë takime të tjera të dyanshme për klimën, për ekonominë duke u përqëndruar tek tregtia dhe valuta.
Presidenti amerikan Obama nënvizoi se të dy vendet janë dakord që në takimin për klimën në Kopenhagen të merren vendime që duhen zbatuar menjëherë. Po ashtu presidenti Hu Zhintao pranoi se dy vende si Kina dhe SHBA nuk purputhen në të gjitha çështjet, por është e rëndësishme, tha ai, që u fol në mënyrë konstruktive dhe me vullnet për t’i kapërcyer vështirësitë.
Gjithashtu u nënshkrua marrëveshja për ndërtimin e centralit më të madh në botë me energji diellore në Mongoli nga shoqëria amerikane First Solar Inc. Centrali do të ketë një kapacitet prej 2 gigavat dhe do të nisë të ndërtohet në qershorin e ardhshëm.
Në konferencën që u dha për shtyp pas takimit, gazetarëve nuk iu lejua që të bënin pyetje. Ata u detyruan t’i fikin celularët dhe t’i dëgjonin pa fjalë deklaratat e dy presidentëve.







All the contents on this site are copyrighted ©.