2009-11-17 17:28:37

Nënsekretari i Këshillit Papnor “Cor Unum”, imzot Xhampjetro dal Tozo:dëshmia e krishterë dhe formimi i përhershëm të jetë në themel të veprave të bamirësisë.


(17.11.2009 RV)RealAudioMP3 Të shtunën e kaluar u mbyll në Romë takimi plenar i 28-të i Këshillit Papnor “Cor Unum”, organizëm vatikanas ky, themeluar nga Papa Pali VI në vitin 1971 që ka si synim bashkërendimin e nismave katolike të bamirësisë. Takimi, kryesuar nga kryetari i dikasterit, kardinali Pol Xhozef Kordes kishte si temë “Shtigjet formuese për veprimtarët e bamirësisë”. Merrnin pjesë dioçezat, Karitasi dhe organizatat për ndihmën dhe asistencën nga të pesë kontinentet. Mbi zhvillimin dhe çka doli në pah gjatë këtij takimi, në mikrofonin e Radio Vatikanit flet Imzot Xhampjetro dal Tozo:

Përgjigje: Doli në pah një shumëllojshmëri e impenjimit në fushën e formimit. Tema ishte pikërisht ajo e rrugëve formuese. Menjëherë ra në sy dallimi në kuptimin gjeografik, historik, kulturor dhe që kjo gjë sjell me vete edhe një larmi mënyrash për problemin e formimit. Ka pastaj situata të veçanta pune e si rrjedhojë edhe formimi është i veçantë. Për shembull formimi i një menaxheri i një organizate bamirëse. Por ajo që ra më shumë në sy qe fakti se tema e formimit ka variante të ndryeshme. Megjithatë kjo nuk do të thotë se nuk mund të gjejmë pika të përbashkëta, që vlejnë për të gjithë ata që veprojnë në kuadër të organizatave katolike për bamirësinë.

Pyetje: Cilat qenë pikat themelore që u prekën nga kjo plenare?

Përgjigje: Dua të them, madje me kënaqësi të madhe, se gjatë fjalimeve të ndryshme të plenares doli në pah se ka një plan të përbashkët në të cilin veprojmë dhe ky plan është dëshmia e krishterë. Kjo dëshmi matet me Krishtin dhe prandaj, të gjithë veprimtarët tanë janë të thirrur të piqen në fe por edhe ta arrijnë pjekurinë nëpërmjet takimit me Krishtin, në mënyrë që dëshmia e tyre të jetë thellësisht e krishterë, për t’iu përgjigjur jo vetëm nevojave të atypëratyshme, të cilat janë padyshim të rëndësishme, por edhe që të arrijnë të prekin në thellësi zemrën e njeriut, i cili kërkon ta duam ashtu siç është.







All the contents on this site are copyrighted ©.