2009-11-17 17:28:53

Filmoteka vatikanase mbush 50 vjet.


(17.11.2009 RV)Këtë vit filmoteka vatikanase themeluar nga Papa Gjoni XXIII, mbush plot 50 vjet. Në arkivat a saj gjenden filma që datojnë nga viti 1896 e deri më sot. Ja si e përkufizoi Benedikti XVI këtë institucion të rëndësishëm: “Filmoteka vatikanase ka një trashigimi shumë të pasur kulturore që i përket krejt njerëzimit. Ndërsa shprehi mirënjohjen time për gjithçka është bërë, i inkurajoj të gjithë ta vazhdojnë më tej këtë punë interesante për mbledhjen e filmave që dokumentojnë etapat e shtegimit tonë të krishterë në histori, pikërisht nëpërmjet dëshmisë mahnitëse të pamjeve filmike.” Bëhet fjalë, pra, për filma që tregojnë historinë e papëve, të Kishës dhe të veprimtarisë së saj nëpër botë, por edhe që mbartin vlera të veçanta artistike dhe njerëzore.
Filmoteka vatikanase, merret me grumbullimin, ruajtjen dhe përhapjen e materialeve jo gjithmonë të njohura, dhe veçanërisht të çmueshme, që e bëjnë koleksionin e saj unik në botë. Ruhen këtu filma që na ndihmojnë të kuptojmë historinë e Kishës hap pas hapi, por që nga ana tjetër janë edhe dëshmi e tregojnë lidhjen e ngushtë të Papëve të shekullit të kaluar me mjetet e reja komunikuese, siç ishte asokohe kinemaja.
Kur me 16 nëntor të 1959, Papa Gjoni XXIII vendoste themelimin e kësaj filmoteke, ishte një vit i veçantë i papnisë së tij. Papa Ronkali, pikërisht atë vit, do të thirrte Koncilin II Vatikanas. Këndej edhe idea për ta përkujtuar themelimin e filmotekës me një dvd kushtuar Koncilit II Vatikanas.
Filmoteka kryen katalogimin çdo ditë por lista e plotë e të gjithë materialit filmik që përfshihet aty është thuajse e pamundur të hartohet. Sidoqoftë, mund të themi se titujt e kataloguar deri më sot janë afro 7 mijë e 8 qind.
Në këto mijëra kilometra film që gjenden këtu, dallojmë Kishën që kryen misionin e saj në histori nëpërmjet papëve, shohim shenjtërit, misionarët, meshtarët, burrat e gratë që dëshmuan e përhapën Lajmin e Mirë, papushim. Por nga ana tjetër vërejmë këtu edhe këndëvështrimin artistik të kineastëve që i realizuan këto filma e në të cilët derdhën vetë spiritualitetin e tyre për t’ia përcjellur pastaj edhe shikuesve.







All the contents on this site are copyrighted ©.