2009-11-16 20:44:35

Zgjedhjet lokale në Kosovë: KQZ jep rezultatet preliminare


Kosovë, pas shumë shtyrjeve, Komisioni Qendror Zgjedhor më në fund ka dhënë rezultat preliminare të zgjedhjeve lokale nëpërmjet kryetares së KQZ-së, Nesrin Lushta, e cila ka rikujtuar faktin se këto rezultate edhe mund të pësojnë ndryshime, pasi aty nuk përfshihen votat me kusht, votat e personave me nevoja të veçanta, dhe votat përmes postës.
Në bazë të rezultateve paraprake, nga qendrat e mëdha, në Prishtinë ka fituar kandidati i LDK-së e në Gjakovë ai i AAK-së, në Ferizaj kandidati i PDK-së, ndërkohë qendrat tjera të mëdha, Mitrovicë, Prizren, Pejë dhe Gjilan, do të ketë balotazh.

Sipas këtyre rezultateve, në kryeqytet Prishtinë ka fituar kandidati i LDK-së, Isa Mustafa me 56.6 %. Në Deçan ka fituar Rasim Selmanaj i AAK-së me 67.7%. Në Mamushë ka fituar kandidati i partisë turke KDTP, Arif Bytyqi me 80.9%
 
Në Gjakovë fitues ka dalë kandidati i AAK-së, Pal Lekaj me 52.8 %. Në Gllogovc ka fituar kandidati i PDK-së, Nexhat Demaku me 89.9% të votave. Në komunën e Fushë Kosovës zgjedhjet i ka fituar kandidati i LDK-së Burim Berisha me 57.2 %.
 
Në Leposaviq ka pasur vetëm një kandidate, Ardita Hasani nga AAK, e cila ka fituar përqindjen e plotë të zgjedhjeve.

Kandidati i LDK-së në Podujevë, Agim Veliu, ka fituar me 50.2% të votave. Kandidati i PDK-së, Sami Lushtaku, ka fituar zgjedhjet në komunën e Skenderajt me 85%. Në Shtime, kandidati i PDK-së, Naim Ismajli, ka fituar 51.6% të votave në këtë komunë. Në Ferizaj, Bajrush Xhemajli nga PDK, ka fituar 50.5% të votave.
 
Në Zveçan, të gjitha votat i ka fituar kandidati i AAK-së, Sami Kelmendi, ndërsa në Zubin Potok ka dalë fitues kandidati i PDK-së, Naser Ferizi me 53.4%. Në komunën e Graçanicës, fitues është Bojan Stojanoviq me 61.8%. Në Ranillug, Dragimir Mikic, nga GIOR me 70.4%, ndërsa në Kllokot, Sasha Mirkoviq, nga SLS ka fituar të gjitha votat..







All the contents on this site are copyrighted ©.