2009-11-16 17:49:41

Zgjedhjet komunale në Kosovë prova e parë e mirë e demokracisë


(16.11.2009 RV) Në Kosovë KQZ ka shpallur rezultatet paraprake të zgjedhjeve të djeshme komunale, në pritje të rezultateve përfundimtare.
Drejtues të Komisionit Qendror Zgjedhor kanë bërë të ditur se në zgjedhjet komunale kanë dalë në votime gjithsej 709.362 votues ose 45.36 për qind. Pra, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka vlerësuar se zgjedhjet lokale të së dielës, të parat në vend që prej shpalljes së pavarësisë, janë zhvilluar të qeta dhe konform standardeve ndërkombëtare. Vëzhguesit e huaj shprehen vleresimet e tyre pozitive mbi ecurinë e votimeve.
Pra, kaloi mirë prova e parë e demokracisë, që nga pavarësia e shpallur më 17 shkurt 2008 për Kosoven, që dje zhvilloi zgjedhjet administrative. Për t’u shënuar se ndërmjet 74 subjekteve politike të paraqitura, 22 janë serbe.
Mëse 100, vëzhguesit ndërkombëtarë ndër të cilët edhe europarlamentarja Doris Pak, eksperte e çështjeve ballkanike, e cila i ka cilësuar zgjedhjet lokale në Kosovë si të mira. Duke folur për zgjedhjet e 15 nëntorit, Përfaqësuesi special i BE-së, Pieter Feith, ka uruar popullin e Kosovës për atmosferën e mirë dhe konstruktive që ka mbretëruar gjatë procesit të zgjedhjeve lokale.
Delegacioni i PE që vizitoi Kosovën me rastin e zgjedhjeve të para lokale të organizuara nga autoritetet kosovare, nëpërmjet një komunikate, thekson se këto zgjedhje ishin një fazë e rëndësishme e tranzicionit demokratik të Kosovës duke përfshirë përmirësimin e të drejtave dhe përgjegjësive të të gjitha komuniteteve përmes procesit të decentralizimit në një shoqëri shumetnike.
Ndërsa Presidenti i Republikës, Dr. Fatmir Sejdiu e vlerësoi procesin e djeshëm zgjedhor si një provim të dhënë për zhvillimin e demokracisë në Kosovë, për proceset dhe për stabilitetin e qëndrueshëm të punës së institucioneve të vendit. Kryetari i Partisë Liberale Demokratike serbe, Çedomir Jovanoviq, ka vlerësuar se pjesëmarrja e serbëve në zgjedhjet në Kosovë është inkurajim i madh dhe mesazh, i cili flet për gatishmërinë e tyre që ta marrin përgjegjësinë për jetën e vet në Kosovë.
Në Kosovë janë dhënë rezultatet paraprake edhe për 12 komuna të tjera të Kosovës. Sipas këtyre rezultateve, në pjesën dërmuese të komunave fituesi do të dihet pas mbajtjes së raundit të dytë të zgjedhjeve - balotazhit.
Sipas rezultateve jo përfundimtare, në garën për kryetar të Prishtinës ka fituar kandidati i LDK-së Isa Mustafa me 57.79%; në Deçan kandidati i AAK-së me 64.35%; në Prizren do të ketë balotazh mes kandidatit të PDK-së (33.01%) dhe atij të LDK-së (29.88%); në Mitrovicë do të ketë balotazh mes kandidatit të PDK-së (39.29%) dhe atij të LDD-AKR-së (25.95%); në Klinë do të ketë balotazh mes kandidatit të PDK-së (39.45%) dhe atij të AAK-së (31.60%); në Rahovec do të ketë balotazh mes kandidatit të PDK-së (33.50%0 dhe atij të LDK-së (23.12%); në Gjakovë ka fituar kandidati i AAK-së me 50.84%; në Gjilan do të ketë balotazh mes PDK-së (37.34%) dhe LDK-së (29.33%); në Pejë do të ketë balotazh mes kandidatit të AAK-së (41.14%) dhe atij të koalicionit LDD-AKR (14.55%); në Mamushë ka fituar kandidati i partisë turke KDTP me 72.36%; në Ferizaj ka fituar PDK me 51.56%; në Obiliq do të ketë balotazh mes kandidatit të PDK-së (32.40%) dhe atij të AAK-së (28.93%).
Ndërkaq ky koalicion në orët e para të ditës së hënë kishte dhënë rezultatet preliminare edhe për katër komuna të tjera të Kosovës. Sipas këtij koalicioni, në Podujevë Lidhja Demokratike e Kosovë, respektivisht kandidati i saj për kryetar Agim Veliu ka shënuar fitore qysh në raundin e parë me 51.91% të votave, i pasuar nga PDK me 28.95%, AAK 11.91%, LDD-AKR 0.76% dhe të tjera 6.47%.
Në Malishevë ndërkaq, kandidati i PDK-së për kryetar të kësaj komune ka fituar 50.09%, i pasuar nga kandidati i LDK-së me 34.43%, AAK 2.85%, LDD-AKR 2.55% dhe kandidati i pavarur me 10.06%.
Në Suharekë ndërkaq, është e sigurt se fituesi për kryetar të komunës do të dihet pas raundit të balotazhit, ku do të ndeshet kandidati i AAK-së me atë të PDK-së. Në raundin e parë, kandidati i AAK-së ka fituar 35.59%, ai i PDK-së 31.80%, ai i LDK-së 31.30%, ai i LDD-së 1.02% dhe kandidati i PS-së 0.29 %.
Në komunën e Graçanicës, fitues është Bojan Stojanoviq me 57.41% të votave. Por më hollësisht nga vendi të ndjekim informacionin e Rabije Ibrajt…RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.