2009-11-16 20:37:40

Papa Benedikti XVI takon shkurt Presidentin e Shqipërisë Topi në Samitin e FAO-së.


(16.11.2009 RV)Sot në kuadër të punimeve të Samitit Botëror të Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë së OKB-së, (FAO), "Mbi sigurinë e ushqimit", i mbledhur në Romë, Atin i Shenjtë, Papa Benedikti XVI-të përshëndeti shkurt disa lider e kryetarë Shtetesh, ndër të cilët edhe me Presidentin e Shqipërisë, Bamir Topi, i shoqëruar nga Zonja e Parë, Teuta Topi,.
Zyra e shtypit e Presidencës së Shqipërisë njofton se pas zgjedhjes së Kryetarit dhe zëvendëkryetarëve dhe aprovimit të Deklaratës së Samitit Botëror për 'Sigurinë e Ushqimit', Shenjtëria e Tij, Papa Benedikti XVI-të, i cili hapi sesionin e parë plenar me fjalimin e tij, u takua me Presidentin Topi dhe Zonjën e Parë në mjediset e FAO-s në Romë.
Kreu i shtetit shqiptar vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira historike të Shqipërisë me Selinë e Shenjtë, duke falënderuar Atin e Shenjtë për ndihmesën e çmuar dhe rolin që Vatikani e Kisha Katolike kanë luajtur në ringjalljen shpirtërore dhe fetare të besimtarëve shqiptarë dhe parimeve e vlerave të shenjta.
Presidenti Topi dhe Ati i Shenjtë vlerësuan harmoninë, tolerancën dhe bashkëjetesën fetare që e shquan vendin tonë përsa i përket marrëdhënieve mes tri besimeve të ndryshme, duke nënvizuar rëndësinë e nxitjes së bashkëpunimit dhe mirëkuptimit midis feve.
Ati i Shenjtë vuri në pah lidhjet e vjetra historike e kulturore të Shqipërisë me familjen evropiane, si dhe shprehu mbështetjen e tij të plotë për përmbushjen e aspiratës së popullit shqiptar për t'u bërë pjesë edhe zyrtarisht, përveç se gjeografikisht, e Evropës së Bashkuar.
Në emër edhe të mbarë popullit shqiptar, Presidenti Topi e ftoi Atin e Shenjtë, Papën Benediktin XVI-të që të vizitojë vendin tonë, ftesë e cila u mirëprit me shumë kënaqësi nga Shenjtëria e Tij dhe kjo vizitë mbetet për t'u realizuar në një kohë të përshtatshme.
Në kuadër të punimeve të Samitit Botëror për "Sigurinë Ushqimore" Presidenti Topi u takua dhe me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mun, me Drejtorin e Përgjithshëm të FAO-s, Zhak Diuf, me Presidenti slloven Tyrk, atë brazilian, Lula, si dhe me kryetarë të tjerë shtetesh e qeverish, të cilët përfaqësojnë vendet e tyre në këtë Samit të rëndësishëm ndërkombëtar.
Tema qendrore e punimeve dyditore të Samitit është siguria ushqimore botërore, me vëmendje të posaçme angazhimin global mbi çrrënjosjen e shpejtë e të plotë të urisë në botë, për të cilën 60 krerët pjesëmarrës të shteteve e qeverive do të miratojnë dhe një deklaratë të përbashkët. nga ATSH-ja.







All the contents on this site are copyrighted ©.