2009-11-16 17:39:09

Kisha katolike merr pjesë në zinë e Kishës ortodokse serbe për vdekjen e Patrikut Pavle.


(16.11.2009 RV)Në Serbi u shpallën tri ditë zije për vdekjen e Patrikut të Kishës ortodokse, Pavle, në krye të Patriarkanës që nga viti 1991, që ndërroi jetë dje, në moshën 95 vjeçare. Në letrën e ngushëllimit për vdekjen e Patrikut Pavle, drejtuar Metropolitit të Malit të Zi, Amfilohije, Kryepeshkop i Cetinës, Kardinali Kasper, kryetar i Këshillit papnor për nxitjen e bashkimit të të krishterëve, shpreh afërsinë e Kishës katolike dhe hidhërimin e thellë për humbjen e Patrikut Pavle, të cilin e cilëson: “Dëshmitar i madh i fesë së Kishës në Serbi”.
Mbarë Kisha katolike – shton Atë Federiko Lombardi, drejtor i Sallës vatikanase të Shtypit – merr pjesë në zinë e Kishës ortodokse serbe e ia beson Zotit këtë Bari të madh:

“Patriku Pavle kujtohet e vlerësohet në Kishën katolike si njeri i përshpirtërisë, i lutjes, si përfaqësues i traditës së madhe shpirtërore të jetës murgare ortodokse.
Kujtohet edhe si personalitet me zemër të hapur në rrugën ekumenike, në dialog me Kishën katolike. Anëtarët e Komisionit për dialogun teologjik ndërmjet ortodoksëve e katolikëve nuk e kanë harruar ftesën e Tij për ta mbajtur në Serbi seancën e dialogut në vitin 2006, para se ai të sëmurej; e nuk e harrojnë edhe pritjen e tij të përzemërt me këtë rast.
Së fundi, pikërisht të shtunën paradite, menjëherë pas audiencës me Presidentin e Serbisë, Papa më tha se Presidenti i kish folur për gjendjen e rëndë shëndetësore të Patrikut dhe i kish kërkuar të lutej për Të. Natyrisht Papa u interesua për Patrikun dhe e siguroi për lutjet e tij.
Mund të themi, prandaj, se Papa ishte shpirtërisht pranë Patrikut në kthimin e Tij tek Hyji e se mbarë Kisha katolike merr pjesë, me Papën, në zinë e Kishës ortodokse serbe e ia beson Zotit këtë bari të madh”.

Kujtojmë se salikimet e Patrikut të ndjerë Pavle do të kremtohen të enjten e ardhshme.







All the contents on this site are copyrighted ©.