2009-11-16 17:37:53

Fëmijët ushtarë, plagë e hapur


(16.11.2009 RV)“Fëmijëria e dhunuar nga lufta: fëmijët ushtarë”: ky është titulli i Konferencës Ndërkombëtare, që u zhvillua sot në Torino të Italisë. Kemi të bëjmë me një fenomen dramatik, shumë të përhapur, të cilin Bashkësia ndërkombëtare nuk arrin ta ndalojë. Në fakt, prej dhjetra vitesh, pavarësisht nga konventat ndërkombëtare për mbrojtjen e fëmijëve, këta të fundit vazhdojnë të merren me forcë si ushtarë, vazhdojnë të vrasin e të vriten. Të dëgjojmë koordinatorin e Observatorit të të drejtave të njeriut të Institutit për studimet e politikës ndërkombëtare në Itali, prof. Xhorxhio Grepi:
Gjendja, veçanërisht dramatike, është një sfidë për bashkësinë ndërkombëtare. Flitet për rreth 300 mijë fëmijë të përdorur në mëse 80 vende të botës në konflikte me armë, pjesa më e madhe e të cilave nuk kanë karakter ndërkombëtar. Kjo do të thotë se problemi i fëmijëve ushtarë nuk kërkon nga shtetet vetëm respektimin e normave ndërkombëtare për forcat e tyre të armatosura, por edhe për konfliktet jo ndërkombëtare, në të cilat fëmijët rekrutohen në forcat e armatosura jo të rregullta, në formacione guerrilase. Me fjalë të tjera, normat ndërkombëtare, që ndalojnë rekrutimin e fëmijëve ushtarë, u drejtohen shteteve e kjo sjell vështirësi në të gjitha ato raste kur shteti nuk është krejtësisht përgjegjës për çfarë ndodh.







All the contents on this site are copyrighted ©.