2009-11-16 17:37:14

FAO miraton “Pesë parimet e Romës për sigurinë ushqimore”


(16.11.2009 RV)Krerët e shteteve dhe të qeverive, të mbledhur në Romë për takimin e FAO-s mbi sigurinë ushqimore, miratuan sot deklaratën me pesë parime, që përcakton impenjimet e luftës globale kundër urisë. Por, dokumenti nuk i përgjigjet kërkesës së sekretarit të përgjithshëm Zhak Diuf, sipas së cilës 44 miliard dollarë duhej të caktoheshin për zhvillimin e bujqësisë. Në deklaratë shprehet alarmi për rritjen e numrit të të uriturve deri në 1 miliard e 200 milion dhe përsëritet impenjimi për ta përgjysmuar atë brenda vitit 2015.
Përsa u përket “Pesë parimeve të Romës për sigurinë e qëndrueshme ushqimore”, teksi parashikon së pari, të investohet në programet e hartuara nga vendet e interesuara; pastaj, të forcohet koordinimi në nivel rajonal e global për të përmirësuar qeverisjen, shpërndarjen e fondeve dhe për të shmangur paralelizmin. Parimi i tretë i deklaratës kërkon të punohet në dy binarë: ndërhyrje të menjëhershme për personat në rrezik e programe afatmesme e afatgjatë për bujqësinë, sigurinë ushqimore dhe zhvillimin e fshatit. Pika e katërt flet për përmirësimin e punës dhe të koordinimit ndërmjet tri agjensive të OKB-së, që punojnë në fushën e ushqimit dhe të bujqësisë: FAO, IFAD dhe Programi Ushqimor Botëror. Parimi i pestë dhe i fundit ka të bëjë me burimet financiare. U kërkohet partnerëve të investojnë vazhdimisht në bujqësi e në sigurimin e ushqimit mbi bazën e programeve dhe planeve shumëvjeçare.
Shumë liderë politikë do t’i përgjigjen thirrjes së sekretarit të përgjithshëm të FAO-s, Zhak Diuf për të ndenjur një ditë pa ngrënë, në një lloj greve urie për solidaritet me më të varfërit. Por si gjithmonë, impenjime të tilla të OKB-së kanë dy faqe. Tjetra paraqet po këta politikanë në suita luksoze në qendër të Romës, ku paguhet 750 euro nata.







All the contents on this site are copyrighted ©.