Ati i Shenjtë në Engjëllin e Tënzot: Fjala e Zotit na dhuron jetën e pasosur.
(16.11.2009 RV)Fjala e Zotit e shndërron botën. Benedikti XVI në lutjen e djeshme
të Engjëllit të Tënzot, ftoi për ta pranuar këtë farë, që i hap njeriut portat e amshimit.
Në Ditën kushtuar viktimave të rrugës, që kremtohej dje, Papa u bëri thirrje të gjithë
atyre që udhëtojnë me automjete të ndryshme, të jenë të vetëdijshëm për përgjegjësinë
ndaj jetës së tyre e të të tjerëve. “Një dhuratë e paçmueshme”: Papa falënderoi
Zotin për shtegtimin e lashtë, e gjithnjë të ri, të fesë, që kreu familja shpirtërore
e Kishës në vitin liturgjik, i cili përfundon pas dy javësh: “Është një dhuratë
e paçmueshme, që na mundëson të jetojmë në historinë e misterit të Krishtit, duke
e pranuar në brazdat e jetës sonë personale e komunitare, farën e Fjalës së Zotit,
farë amshimi, e cila e shndërron nga brenda këtë botë e ia hap portat e Mbretërisë
qiellore”. Më pas Benedikti XVI u ndalua tek profecia e Krishtit për
fundin e kohëve: “Qielli e toka – thotë Jezusi - do të kalojnë, por fjalët e mia nuk
do të kalojnë”. Fjalët qielli e toka përdoren për të treguar universin: “Shkrimi
Shenjt nuk ka dyshime: e gjithë krijesa është e paracaktuar të mbarojë, duke përfshirë
edhe elementet e hyjnizuara nga mitologjitë e lashta; nuk ka pështjellim, por vetëm
ndryshim të qartë, ndërmjet Krijimit e Krijuesit". Fjalët e Jezusit nuk
do të kalojnë, sepse i përkasin Hyjit e prandaj, janë të amshuara. Krishti krahasohet
me farëhedhësin dhe shpjegon se fara është Fjala: ata që e dëgjojnë e që e pranojnë,
sjellin fryte, bëjnë pjesë në mbretërinë e Hyjit, mbeten në botë, por nuk janë më
të botës: “Kanë në vetvete një farë amshimi, një fillesë shndërrimi, i cili
shfaqet që tani në një jetë të mirë, të frymëzuar nga dashuria e krishterë, e cila
në fund do të prodhojë ringjalljen e trupit. E ky është pushteti i Fjalës së Krishtit”. Është
pikërisht Virgjëra Mari – tha Papa para se të kremtonte Lutjen e Engjëllit të Tënzot
- shenja e gjallë e kësaj së vërtete. E pas lutjes, Benedikti XVI kujtoi Ditën
botërore të viktimave të rrugës, duke i ftuar të gjitha ata që shtegtojnë në rrugët
e botës, të jenë të kujdesshëm e plot përgjegjësi për dhuratën e shëndetit të tyre
e të të tjerëve.