2009-11-14 15:53:53

Zgjedhjet lokale në Kosovë ndryshim apo vazhdim?!


Kosovës i nevojiten ndryshime e jo vazhdime, për këtë Kosovarët sot votojnë pushtetin lokal. Shtrirja e papenguar e varfërisë dhe e papunësisë, pastaj mungesa e investimeve të huaja, thellimi i korrupsionit, infrastruktura e varfër rrugore, furnizimi i mangët me ujë dhe problemet në komunikacion janë çështje të pazgjidhura që karakterizojnë dhjetëvjeçarin që po e lëmë pas. Nuk do mend, ato po prekin thellë dinjitetin e shumicës së kosovarëve.
Zvarritja e gjetjes së zgjidhjeve, varfërimi i popullatës dhe pasurimi i shpejtë i një numri "pjesëtarësh" të elitave politike mund të jenë arsyet tjera që po rrisin skepticizmin dhe që po vrasin shpresat e qindra mijëra të rinjve se Kosova mund të zhvillohet dhe se brenda 11 mijë kilometrave katrorë të saj, do të hapen horizonte për një jetë të dinjitetshme. Të njëjtat probleme po përsëriten në vazhdimësi, si një refren kënge në kasetofonin e prishur, që nga zgjedhjet e para të pas luftës e deri më sot. Rrethanat e krijuara, pjesërisht nga mungesa e vizionit, vullnetin, lidershipit dhe e menaxhimit adekuat të institucioneve, kanë mbytur besimin dhe kanë vrarë shpresën e kosovarëve në votën. Kosovës i nevojiten ndryshime e jo vazhdime, sepse këtu nuk është çështja se kush fiton po si mund ta fitojmë demokracinë dhe si mund ta ndërtojmë një Kosovë të re pa ngarkesat e rrymave e energjive negative që mund të shmangin e madje ta pengojnë rrugën e zhvillimit.







All the contents on this site are copyrighted ©.