2009-11-14 15:52:00

Për sigurinë ushqimore: editorial i atë Lombardit


(15.11.2009 RV)Hapet të hënën në Romë, pranë selisë së FAO-s, mbledhja e nivelit të lartë botëror për sigurinë ushqimore. Në sesionin e hapjes do të jetë i pranishëm edhe Papa Benedikti XVI. Pikërisht kësaj ngjarjeje i ka kushtuar editorialin e kësaj jave, zëdhënësi i Vatikanit dhe drejtori ynë i përgjithshëm, atë Federiko Lombardi:
“Është e nevojshme të konsolidohet një ndërgjegje solidare, që ta konsiderojë ushqimin dhe mundësinë për të pasur ujë si të drejta universale të gjithë qenieve njerëzore, pa dallime e pa diskriminime”: Kështu pohon Papa në enciklikën e fundit mbi zhvillimin njerëzor të gjithanshëm “Caritas in Veritate”. Ati i Shenjtë vë në dukje se e drejta për t’u ushqyer është thelbësore për të garantuar të drejtën më të rëndësishme nga të gjitha, atë për të jetuar. Po, sepse nga uria e etja njerëzit vdesin, e nëse jo, jetojnë përgjysëm.
Për të dëshmuar impenjimin e tij personal në favor të kësaj së drejte, Benedikti XVI do të jetë të hënën 16 nëntor, në selinë e FAO-s, në mbledhjen mbi sigurinë ushqimore. Një takim që zhvillohet në një skenar, për dramaticitetin e të cilit nuk kujtohemi shpesh. Në vitin 2000, Mbledhja e famshme e Mijëvjeçarit pati thënë se numri i të uriturve duhej të përgjysmohej, nga 800 milionët e atëhershëm në 400 milion brenda vitit 2015; por në 2009-ën kemi arritur në 1 miliard e 200 milionë! Një tragjedi e tmerrshme, një shtytje e jashtëzakonshme për të emigruar, një kërcënim i rëndë për paqen.
Është e qartë se rruga kryesore për zgjidhjen e problemit është favorizimi i zhvillimit bujqësor në vendet më të varfëra, duke përfshirë sa të jetë e mundur më shumë bashkësitë lokale, pra, duke vendosur “njeriun në qendër të zhvillimit”, siç thotë Papa në enciklikën e tij. Kjo është në interes të bashkësisë botërore, të asaj familjeje popujsh që duhet të jemi. Nuk duhet të jetë e vështirë të kuptohet nga pjesëmarrësit në Mbledhjen e Romës. Por pastaj, nga fjalët duhet kaluar në vepra. E nëse jo, viktimat e urisë do të shumohen akoma”.







All the contents on this site are copyrighted ©.