Më 14 Nëntor 1908 në Manastir u mblodh Kongresi i Manastirit ose Kongresi i Alfabetit
(14.11.2009 RV)Kongresi i Manastirit u mblodh nga 14 deri më 22 nëntor 1908
për të vendosur për problemin e ndërlikuar të alfabetit. U organizua nga shoqëria
Bashkimi dhe u propagandua nga Mid'hat bej Frashëri në revistën e tij Lirija:"...ardhi një ditë e pëlqyerë për istorinë tonë, që të nisim liruar' e papengim
të punojmë për mbrodhësin' e lumtërin' e kombit tonë, jo me barut edhe me armë, po
me kartë e pëndë, andaj kjo çështje e Abecesë lipsetë të jetë fillim, që pa atë nuku
do mundim të harijmë qëllimetë tona të lartëra për mbrodhësi të gjuhësë."-
Kështu shkruante Mid'hat bej Frashëri, që e drejtoi këtë mbledhje, ku morën pjesë
delegatë të të gjitha besimeve nga mbarë Shqipëria dhe kolonitë shqiptare jashtë.
Ndër pjesëmarrësit e shquar qenë Atë Gjergj Fishta, dom Ndre Mjeda, Mati Logoreci,
Luigj Gurakuqi dhe Hilë Mosi nga Shkodra; Shahin bej Kolonja dhe Petro Nini Luarasi
nga Kolonja; Thoma Abrami nga Korça; Sotir Peci nga Bostoni, dhe Bajo Topulli e familja
Qiriazi nga Manastiri. Kongresi zgjodhi një komision prej njëmbëdhjetë antarësh
nën kryesinë e Atë Gjergj Fishtës për të studiuar problemin e alfabetit e për të dalë
me propozime. U arrit menjëherë në mendimin e përbashkët që alfabeti t’i shërbente
kryesisht forcimit të unitetit kombëtar. Nismëtar i kësaj frymne qe Atë Fishta
i cili shpjegoi se sido që i dërguar prej shoqërisë Bashkimi, s’ ishte aty thjeshtë
për të mbrojtur abece-në, por për të gjetur një rrugë që çonte në bashkimin e përgjithshëm.
Tre alfabetet kryesorë që u morën në shqyrtim qenë: alfabeti i shoqërisë
letrare Agimi të Shkodrës i propozuar nga dom Ndre Mjeda; alfabeti i shoqërisë letrare Bashkimi të
Shkodrës, i hartuar nga Imzot Prenkë Doçi dhe alfabeti i Stambollit, i hartuar nga
Sami bej Frashëri. Toskët ishin më fort për alfabetin tradicional të Stambollit, kurse
gegët zakonisht pëlqenin alfabetin e Bashkimit, i cili ishte më praktik për botimet,
sepse nuk kishte shkronja jolatine. U shqyrtuan gjithashtu edhe dy alfabete të
tjerë, alfabeti grek i përdorur nga Kostandin Kristoforidhi, dhe alfabeti arab, të
cilin shumë myslimanë të devotshëm, sidomos në Maqedoni e Kosovë, vazhduan ta shohin
si të vetmen zgjidhje edhe për shumë kohë pas Kongresit. Komisioni vendosi të pranojë
variantet e modifikuara të alfabeteve të Bashkimit e të Stambollit. Të dy mund
të përdoreshin në shkolla e në botime. Pranimi nga të gjithë i vendimit të komisionit
do të donte ende shumë kohë, por, me vendimin për të mbështetur një zgjidhje kompromisi,
kongresi shtroi rrugën për kalimin shkallë-shkallë nga alfabeti i respektuar i Stambollit,
te alfabeti i tanishëm i shqipes i bazuar në shkronja latine, duke mënjanuar kështu
polemika e kundërshtime e duke hedhur bazat për formimin e gjuhës letrare shqipe.