2009-11-13 17:41:01

Papa -‘Cor Unum’: ta dëshmojnë dashurinë e Krishtit, t’i shërbejnë botës e ta duan, pa qenë të botës.


(13.11.2009 RV)Qëllimi kryesor i atyre, që punojnë në fushën e bamirësisë, është ta bëjnë të njohur Fytyrën përdëllyese të Hyjit, që dëshiron ta shpëtojë njeriun në të gjitha përmasat e tija, tokësore e shpirtërore: këtë nënvizoi Papa sot paradite, duke pritur në audiencë pjesëmarrësit e mbledhjes plenare të Këshillit Papnor ‘Cor Unum’, me temë “Rrugë për formimin e veprimtarëve të bamirësisë”, punimet e së cilës vijojnë në Vatikan.
Mendimi i Papës shkoi posaçërisht tek besimtarët e shumtë që, në të katër anët e botës, dhurojnë me bujari e përkushtim, kohën dhe energjitë e tyre, për të dëshmuar dashurinë e Krishtit, Samaritanit të Mirë, i cili nuk i braktis kurrë nevojtarët në korp e në shpirt. Më pas, duke kujtuar se dashuria e krishterë është pjesë e pandarë e vetë natyrës së Kishës, nënvizoi se kjo, në kumtimin e vet shëlbues, nuk mund të shkëputet nga kushtet konkrete të jetës së njerëzve, ndërmjet të cilëve është e dërguar:
“Veprimtaria për t’i përmirësuar, lidhet me vetë jetën e saj e me misionin e saj, sepse shëlbimi i Krishtit është i gjithanshëm; ka të bëjë me njeriun në të gjitha përmasat e tij: fizike e shpirtërore, shoqërore e kulturore, tokësore e qiellore. Pikërisht nga kjo vetëdije lindën, në rrjedhë shekujsh, shumë vepra e struktura kishtare në shërbim të përparimit të njerëzve e të popujve, që dhanë e vijojnë të japin një kontribut të pazëvendësueshëm për rritjen dhe zhvillimin e harmonishëm e të gjithanshëm të qenies njerëzore”.
E është pjesë e pandarë përbërëse e dëshmimit të Krishtit, ndihmesa për ndërtimin e një rendi të drejtë në shoqëri, siç bëjnë shumë besimtarë, duke kryer veprimtari të dobishme në fushën ekonomike, shoqërore, ligjore e kulturore e duke marrë pjesë drejtpërdrejt në jetën publike, gjithnjë në shërbim të së mirës së përbashkët:
“Nuk i takon, natyrisht, Kishës të ndërhyjë drejtpërdrejt në politikën e Shteteve, por bashkësia e krishterë nuk mund e nuk duhet të rrijë mënjanë, kur është fjala për mbrojtjen e të drejtave të njeriut e të drejtësisë. Feja është forcë shpirtërore, që pastron arsyen në kërkim të një rendi të drejtë, duke e çliruar prej rrezikut, gjithnjë të pranishëm, të verbimit nga egoizmi, nga interesat vetjake e nga etja për pushtet”.
Në të vërtetë – shtoi Papa – përvoja dëshmon se edhe në shoqëritë më të zvilluara në këndvështrimin shoqëror, bamirësia mbetet gjithnjë e nevojshme:
“Shërbimi i dashurisë nuk bëhet kurrë i tepërt, sepse situatat e vuajtjes, të vetmisë, të nevojave, që kërkojnë përkushtim vetjak e ndihmë konkrete, mbeten gjithnjë aktuale”.
E ky duhet të jetë qëllimi kryesor i atyre, që kryejnë shërbimin në organizmat kishtare, të cilat drejtojnë nismat dhe veprat e bamirësisë:
“ ... ta bëjnë të njohur e ta provojnë Fytyrën e mëshirshme të Atit qiellor, sepse në zemrën e Hyjit-Dashuri gjindet përgjigjja e vërtetë për pyetjet më të fshehta të zemrës njerëzore. Sa e nevojshme është për të krishterët t’i mbajnë sytë ngulur mbi Fytyrën e Krishtit! Vetëm në Të, që është plotësisht Hyj e plotësisht njeri, mund të kundrojnë Atin (cfr Gjn 14,9) e të provojmë mëshirën e tij të pambaruar”.
Të krishterët – tha në përfundim Papa – e dinë se janë të thirrur ta duan botën e t’i shërbejnë, pa qenë të botës, deri në dhurimin e plotë të vetvetes: kjo është rruga që duhet të përshkojë, në se do të ndjekë logjikën e Ungjillit, kush dëshiron të dëshmojë dashurinë e Krishtit.







All the contents on this site are copyrighted ©.