2009-11-13 17:45:21

Dëmet e shkaktuara nga minat kundër njeriut në Raportin 2009 të Fushatës ndërkombëtare kundër minave


(13.11.2009 RV)Të vdesësh në fushën e betejës, megjithëse lufta ka përfunduar prej vitesh. Ky është fati i viktimave të minave kundër njeriut, që denoncohet nga Raporti 2009 i Fushatës ndërkombëtare kundër këtyre armëve të tmerrshme. Traktati i Otauës, në vitin 1999, bllokoi prodhimin e tyre, sidomos të të ashtuquajturave “bomba copëtuese”, por rreziku vjen nga ato mina, që tashmë ndodhen në terren. Të gjitha vendet, që kanë pasur luftë në dhjetëvjeçarët e fundit, vuajnë sot këtë problem, i cili jo vetëm shkakton viktima e gjymtime, por edhe nuk lejon shfrytëzimin e terrenit për qëllime të tjera, duke rritur kështu tej mase koston shoqërore. Mbi këto aspekte intervistuam presidentin e Fushatës ndërkombëtare kundër minave, italianin Xhuzepe Skiavelo:
Duhet të mbrohen shumë popullsi, që detyrohen të bashkëjetojnë me minat dhe me armë të tjera si bombat copëtuese. Duhet të shqetësohemi për viktimat, për asistencën e për integrimin e tyre në shoqëri. Duhet t’u japim proteza personave që janë hedhur në erë nga minat: një fëmijë për shembull, ka nevojë për një protezë çdo pesë muaj, pasi rritet. Në vende ku është e vështirë të gjendet edhe një fasho, mendoni sa e vështirë është të gjendet një protezë çdo pesë muaj. Duhet të kemi parasysh edhe se gjymtimi në këto vende shihet me turp dhe krijon gjendje mënjanimi që s’mund as t’i imagjinojmë. Po përmend vetëm Kamboxhën, ku lufta ka përfunduar që prej 50 vjetësh, por ku akoma ka viktima të minave kundër njeriut. Një minë ka kushtuar disa dhjetra dollarë, ndërsa bonifikimi i saj kushton mesatarisht 1000 – 1500 dollarë.







All the contents on this site are copyrighted ©.