Çelësi i fjalëve të Kishës: pse në Librin e Urtisë thuhet se ' faji i etërve bie mbi
bijtë', në rastin e kurorëthyerjes.
(12.11.2009 RV)I hartuar në greqisht, në prag të epokës së krishterë, ndoshta
nga një hebre i Aleksandrisë së Egjiptit, dhe i marrë simbolikisht në patronazh nga
Salomoni, Libri i Urtisë na zbulohet si një vepër me risi të mëdha. Të mendojmë
vetëm për doktrinën e pavdekshmërisë në lumni dhe gjithë pjesës ku flitet për rolin
e gruas dhe thyerjen e kurorës. Në të, ngrihet në qiell gruaja që s’mund të bëjë fëmijë,
por është e ndershme, si edhe eunuku, “dora e të cilit nuk ka bërë ndyrësi”, në kundërshtim
me shumë pjesë të tjera të Shkrimit të Shenjtë, ku e njëjta gjendje konsiderohej mallkim
prej Zotit, pasi nuk lejonte të krijohej brezi i ri. Në këtë kontekst duhen kuptuar
fjalët, që skandalizojnë shumëkënd, thënë në kapitullin e tretë të Librit të Urtisë:
“Bami i kurorëshkelësve s’do të shkojë përsëmbari dhe fara e shtratit
të paudhë do të shuhet. Po edhe nëse do ta kenë jetën e gjatë, do të mbahen për askushi
dhe në fund, pleqëria e tyre do të jetë e pander. Po qe se vdesin herët, të pashpresë
do të jenë dhe ngushëllim s’do të kenë ditën e gjyqit: sepse i tmerrshëm është fati
i pjellës mëkatare” (3,16-19). Fjalët janë të rënda dhe pasqyrojnë
shprehjet tradicionale të Besëlidhjes së Vjetër. Për t’i kuptuar, duhet të kemi parasysh
tri gjëra. E para ka të bëjë me të ashtuquajturën “teori e shpërblimit”: sipas urtisë
së lashtë të Izraelit, çdo faji duhej t’i korrespondonte dënimi hyjnor, që mund të
shfaqej si me mossuksesin, ashtu edhe me vuajtjen e mëkatarit, ose të gjërave të dashura
për të, si familja dhe pasardhësit. Dihet se Jobi reagoi kundër këtij konceptimi skematik,
e pikërisht në linjën e tij do të vendoset edhe Krishti, si në rastin e të verbërit,
që përshkruhet në Ungjillin e Shën Gjonit, ku Jezusi i qorton dishepujt, pasi mendojnë
se verbëria është pasojë e mëkateve të personit, ose të prindërve të tij. Elementi
i dytë ka të bëjë me çështjen e familjes së kurorëthyerësit, e cila përfshihet në
dënim. Kemi të bëjmë me një lloj përgjegjësie kolektive, e cila nuk duhet marrë fjalë
për fjalë, por si theksim i faktit se mëkati nuk është thjesht individual e ka jehonë
në shoqëri, pasi prish atmosferën morale e nganjëherë, sjell edhe pasoja fizike (të
mendojmë për shembull për trashëgiminë që mund të japë një nënë e droguar, ose një
baba i sëmurë me Sidë). Pavarësisht nga këto që thamë, në rend të parë, është
përgjegjësia individuale. Të lexohet për shembull krejt kapitulli 18 i Ezekielit Profet,
ose këto fjalë të Jeremisë:“Në ato ditë nuk do të thuhet më: ‘Etërit
hëngrën rrush të thartë dhe u mpinë dhëmbët e fëmijëve’, por secili do të vdesë për
shkak të fajit të vet” (31,29-30). Madje, autori i Librit të Urtisë, në një
faqe shumë intensive, ngre në qiell faljen e Zotit për mëkatarin e penduar, sepse
Zoti “ka mëshirë për të gjithë” (11,23-12,2). E së fundi, duhet të kemi parasysh
kontekstin. Autori i Shkrimit Shenjt dëshiron të pohojë solemnisht se është më mirë
një familje e ndershme pa fëmijë, se sa një familje e madhe, ku mbretëron e keqja.
Pikërisht kjo e fundit gjykohet nga Zoti. Gjuha e rëndë tradicionale ka për qëllim
vetëm ta nënvizojë këtë të vërtetë e të tregojë se teoria e shpërblimit të mëkateve,
ashtu siç konceptohej atëherë, mund të përgënjeshtrohet. Në të vërtetë, shpesh
ndeshemi me një mirëqënie të jashtme, pra të rreme, e cila fsheh shenjat e dënimit
hyjnor, por ato i ka brenda.