2009-11-12 18:10:26

Themelohet Këshilli për shënimin e 100-vjetorit të lindjes së Lumes Nënë Terezë


(12.11.2009 RV)Në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, është themeluar Këshilli Organizativ për shënimin e 100 vjetorit të lindjes së humanistes së shquar shqiptare Nënë Tereza -- Gonxhe Bojaxhiu. Anëtarë të këtij këshilli janë: Valton Beqiri, Ministër, Xhavit Beqiri nga Presidenca e Republikës së Kosovës, Akademik Ali Podrimja nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Dr. Dom Lush Gjergji nga Ipeshkvia e Kosovës dhe Dr. Jusuf Bajraktari nga Instituti i Historisë.
Ministri Beqiri tha se ky këshill ka karakter institucional dhe, si i tillë, në kuadër të një agjende të koordinuar, do ta bëjë përcaktimin dhe bashkërendimin e ngjarjeve e të aktiviteteve kulturore e shkencore, përmes të cilave, në mënyrë sa më të dinjitetshme dhe sa më profesionale, gjatë vitit 2010 do të shënohet 100 vjetori i lindjes së Nënë Terezës. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Qeveria e Republikës së Kosovës, tha ai, janë të vendosur që këtë ngjarje të rëndësishme të përmasave kombëtare dhe botërore ta shënojnë në mënyrë sa më të organizuar përmes mekanizmave institucionalë.
Ndërkaq, anëtari i Këshillit Organizativ, Dr. Dom Lush Gjergji, tha se e vlerëson lart nismën e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për shënimin e këtij përvjetori të rëndësishëm, duke shtuar se Nëna Terezë ka qenë krenare për identitetin e saj, të cilin e ka pohuar para plot 30 vitesh, me rastin e marrjes së Çmimit Nobel, duke deklaruar se "popullin tim shqiptar e mbaj gjithmonë në zemër". Nëna Terezë është letërnjoftimi dhe pasaporta jonë unike, përmes së cilës ne paraqitemi para botës si njerëz të paqes, shtoi Dom Gjergji. Më hollësisht nga Prishtina na njofton Rabie IbrajRealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.