2009-11-12 16:38:38

Benedikti XVI për 70 vjetorin e Lumsës: universitetet katolike kanë nevojë për “profesorë të vërtetë” që të përçojnë vlerat e krishtera.


(12.11.2009 RV)RealAudioMP3 Për të kremtuar 70 vjetorin e themelimit të Lumsës, Universitetit të Lirë të të Ngjiturit të Zojës në qiell, Benedikti XVI priti sot paradite në Sallën Pali VI një grup të madh me studentë e pedagogë të ateneut. Atyre, Papa u përsëriti rolin e universiteteve katolike, të cilat nuk kanë për qëllim vetëm përçimin e dijeve shkencore, por edhe të vlerave të krishtera. Vetëm kështu, ato mund të garantojnë praninë e krishterë në botën akademike:
“Universiteti katolik është i thirrur të veprojë përmes frymëzimit të krishterë të individëve dhe të bashkësisë universitare si të tillë; përmes reflektimit të vazhdueshëm për dijen e ndriçuar nga feja e nga kërkimi shkencor; përmes besnikërisë ndaj mesazhit të krishterë, ashtu siç paraqitet nga Kisha; përmes impenjimit institucional në shërbim të popullit të Zotit e të familjes njerëzore, në rrugën e tyre drejt qëllimit të fundit”.
Lumsa, pranon Papa, i ka qëndruar besnike kësaj thirrjeje që nga themelimi i saj, në vitin 1939, falë impenjimit të Shërbëtores së Zotit, Nënë Luigja Tinkani dhe të kardinalit Xhuzepe Picardo. Nga universitet për formimin e rregulltareve mësuese e deri në shndërrimin në Universitetin e Lirë në vitin 1989, Lumsa – pohoi Benedikti XVI – ka pasur gjithnjë një identitet katolik të përcaktuar mirë dhe një lidhje të ngushtë me Selinë e Shenjtë. Sot, emergjenca edukative e rinisë është bërë shqetësuese, prandaj roli i profesorëve duhet të dalë më mirë e më tepër në pah:
“Kriza e thellë ekonomike, e përhapur në të gjithë botën, si edhe arësyet në bazën e saj, kanë vënë në pah kërkesën për një investim më vendimtar e guximtar në fushën e dijes e të edukimit, si rrugë për t’iu përgjigjur sfidave të shumta e për t’i përgatitur brezat e rinj të ndërtojnë një të ardhme më të mirë”.
Prandaj, nguli këmbë Ati i Shenjtë, para ndryshimeve të mëdha që po bëhen në botë:
“Gjithnjë e më urgjente është nevoja për t’u mbështetur në vlerat themelore për t’u përçuar, si trashëgimi e domosdoshme, në brezat e rinj e, që këtej, për ta pyetur veten se cilat janë këto vlera. Pra, para institucioneve akademike shtrohen gjithnjë e më shumë çështje të karakterit etik”.
I qëndroni besnikë Magna Charta-s suaj, u tha Benedikti XVI anëtarëve të Lumsës. Papa iu drejtua profesorëve, të cilët duhet të bëjnë e të përçojnë një shkencë, gjithnjë në kërkim të së vërtetës, në dialog ndërmjet fesë e arsyes:
“Sot, ashtu si në të kaluarën, universiteti ka nevojë për profesorë të vërtetë, që të përçojnë, sëbashku me përmbajtjen dhe dijen shkencore, një metodë rigoroze për kërkimin e vlerave dhe të motivacioneve të thella. Të zhytur në një shoqëri të fragmentuar e relativiste, ju, të dashur studentë, mbajini gjithnjë të hapura mendjet e zemrat për të vërtetën. Përkushtohuni që të mësoni thellësisht dijet që kontribuojnë në formimin e plotë të personalitetit tuaj, në aftësinë për kërkimin e së vërtetës e të së mirës gjatë gjithë jetës, në përgatitjen profesionale për t’u bërë ndërtues të një shoqërie më të drejtë e më solidare”.







All the contents on this site are copyrighted ©.