2009-11-11 19:05:24

Fushatë e Azianjuz kundër ligjit mbi blasfeminë në Pakistan


(11.11.2009 RV)Ndërsa Pakistani numëron viktimat e atentatit kamikaze të djeshëm, gati në kufi me Afganistanin (30 të vrarë e 100 të plagosur), Azianjuz, agjensia katolike e lajmeve nga kontinenti aziatik, fillon fushatën kundër ligjit për blasfeminë. Norma u vendos në vitin 1986 nga diktatori Zia-ul-Haq dhe dënon me burgim të përjetshëm ose me vdekje ata që flasin kundër Kuranit, ose marrin nëpër gojë emrin e Muhametit. Problemi është se ky ligj jo vetëm që është bërë pretekst për të goditur pakicat fetare në vend, por frenon edhe zhvillimin shoqëror të bashkësisë myslimane. Të dëgjojmë drejtorin e Azianjuz, atë Bernardo Çervelera:
“Frenohet kontributi i tyre në zhvillimin e vendit, pasi frenohet impenjimi i shkollave, i qendrave shoqërore, i spitaleve ndaj popullsisë pakistaneze. Ky ligj, në fakt, po shkatërron bashkëjetesën ndërmjet bashkësive të ndryshme fetare në Pakistan e kjo – sipas meje – përbën problem ndërkombëtar”.
Situata bëhet edhe më e vështirë nga momenti historik që po përjeton vendi, viktimë e dhunës së talebanëve, që vijnë nga Afganistani. Norma mbi blasfeminë ushqehet kështu nga ekstremizmi, por po shkakton debate të ashpra edhe brenda Pakistanit. Qeveria ka kërkuar një mbledhje me Komitetin parlamentar të përhershëm, por ky hap ka sjellë përgjigjen e ashpër të fondamentalistëve islamikë, të cilët duan që të dënohet kushdo lufton për anullimin e ligjit. Të dëgjojmë sekretarin kombëtar të Drejtësisë e Paqes në Pakistan, Peter Xhejkob:
“Nuk është e thjeshtë për qeverinë pakistaneze të mbajë një qëndrim të patundur e të japë kështu një përgjigje për t’i ndihmuar pakicat fetare. Por i ka burimet dhe forcën, prandaj duhet t’ia arrijë qëllimit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.