2009-11-10 16:30:46

Vazhdon në Vatikan Kongresi i gjashtë botëror për baritorinë e emigrantëve dhe të refugjatëve


(10.11.2009 RV)RealAudioMP3 Ishin rreth 300, ekspertët ndërkombëtarë që morën pjesë sot paradite në Kongresin e gjashtë për baritorinë e emigrantëve dhe të refugjatëve, i cili filloi dje në Vatikan, me audiencën e Benediktit XVI dhe me meshën e kremtuar nga kardinali sekretar i shtetit, Tarçizio Bertone. Punimet do të vazhdojnë deri të enjten.
Pasi kërkoi dje që fenomeni i emigracionit të shihet si mundësi për vëllazërimin ndërmjet popujve e si konfirmim i të drejtave të personave të përfshirë në të, kongresi u përqëndrua sot në temën: “Një baritori e veçantë për të rinjtë e adoleshentët emigrantë e refugjatë”. Edhe një herë Kisha është pararendëse e kohës kur brezi i dytë e emigracionit do të mund të luajë ose një rol pozitiv integrimi kulturash, ose i pakënaqur nga mënyra si i kanë trajtuar prindërit e edhe atë vetë, do të mënjanohet nga shoqëria ku është rritur e do ta luftojë atë. Le të kujtojmë për shembull, fenomenin e banliëve në Francë.
Në audiencën e djeshme, Papa Benedikti XVI kërkoi që emigrantët të konsiderohen pasuri e jo problem. Për jehonën e këtyre fjalëve, pyetëm rregulltarin skalabrinian dhe drejtorin e Zyrës për emigrantët e refugjatët të Fondacionit Migrantes (organ i Konferencës Ipeshkvnore Italiane), atë Xhanromano Njezoto:
Janë pa dyshim fjalë shumë të rëndësishme. E kjo, sepse, duke u nisur nga vlera e madhe e personit njerëzor, duhet nënvizuar fakti se emigrant është ai që, me ne e me bashkësitë tona si civile, ashtu edhe kishtare, është një pasuri për Kishën, është një vëlla, apo një motër. Nga kjo pikpamje, duhet nënvizuar pikërisht pozitiviteti i pranisë së tyre, që megjithë vështirësitë e përditshme, ka në bazë mundësinë e pasurimit të ndërsjelltë. Gjithsesi, siç tha edhe Papa, kjo duhet bërë përmes dialogut e komunikimit.
Sa është i rëndësishëm një takim si ai që po zhvillohet në Vatikan, ku po bëhen përpjekje edhe për të koordinuar punën për t’i pritur sa më mirë emigrantët?
Është e rëndësishme që të jemi në sintoni si në pikpamje, ashtu edhe në veprimet konkrete: para së gjithash brenda në Kishë e pastaj edhe në shoqëri. Përsa i përket Kishës, duhet të mendojmë për strategji ungjillëzimi, edhe të reja, për t’i shoqëruar emigrantët. Po mendoj për katekizmin, jetën liturgjike dhe sakramentale. Këto gjëra, në shumë prej dioqezave italiane, bëhen me impenjim të madh, me inteligjencë, duke i shoqëruar bashkësitë etnike, në mënyrë që rruga e përshkuar të jetë edhe rrugë bashkëveprimi kishtar. Siç u nënvizua, integrimi është një aspekt kryesor, për të cilin akoma duhen gjetur zgjidhje.
Por, prirja për të përbuzur e refuzuar personat që janë ndryshe nga ne ekziston dhe mbijeton, pavarësisht nga puna e bërë…
Duhet të mbështesim gjithnjë anën pozitive të çështjes e për këtë, fjalët e Papës, që përveç problemeve ekzistuese, nënvizojnë faktin që emigranti është pasuri, përfaqësojnë një këndvështrim pozitiv, i cili vë në plan të parë pikat e forcës. Përsa i përket solidaritetit, që përfaqëson një vlerë themelore me të cilën është mbrujtur toka jonë italiane dhe Kisha jonë, mesazhi është të globalizohet solidariteti. Pra, ka vlera që janë pjesë e trashëgimisë sonë historike e duhen propozuar e përsëritur vazhdimisht sipas gjendjes aktuale.







All the contents on this site are copyrighted ©.