Sot me 10 nëntor kalendari Kishtar përkujton Shën Leonin e madh, Papë
(10.11.2009 RV)Kisha kremton sot Shën Leonin e Madh, njërin ndër Papët më të
mëdhenj të historisë. Papa Leoni i Madh i dha autoritet Ipeshkvit të Romës, promovoi
paqen në kohë të vështira, doktor i Kishës, sepse diti t’u qëndronte pranë besimtarëve
me vepra baritore e me predikime. Shërbëtor i së Vërtetës në Dashuri, teolog e bari
i jashtëzakonshëm shpirtëror, ky me pak fjalë është portreti i shën Leonit të Madh.
“Duhet t'i ngjasosh Bariut të Mirë, i cili shkon ta kërkojë delen e humbur dhe e sjell
rishtas në grigjë, duke e mbartur përmbi shpatulla. Kështu duhet të veprosh me ata
që kanë dredhuar rrugë, duke hyrë në shtigje të verbra, të cilat i çojnë larg së vërtetës.
Duhet t'i rifitosh për Zotin përmes lutjeve të Kishës së tij". Papa Leoni ia shkruante
këtë letër Timoteut, ipeshkvit të Aleksandrisë, më 8 gusht të vitit 460 - një vit
para se të vdiste - duke i dhënë këshilla që janë pasqyrë e vetë jetës së tij e duke
treguar se ishte bari që nuk i dënonte delet rebele, por i kthente në vath me dashuri
e vendosmëri. Mendimi tij përmblidhet në këto dy fragmente themelore: "Edhe atëherë
kur duhet të qortosh, mos e humb kurrë dashurinë” e sidomos, “mos harro se Krishti
është gjithçka për ne, me Të mund t'i arrijmë të gjitha”. Nuk është e rastit që
Leoni i Madh, Papë e doktor i Kishës, përballoi Atilën, kryetarin e Hunëve, për të
cilët shkruhej se ku vinte këmbën, nuk mbinte më bari, duke e bindur - i armatosur
vetëm me kryqin papnor - të mos marshonte mbi Romën dhe të tërhiqej përtej Danubit.
Ky Takim i vitit 452 pranë lumit Minçio mbetet edhe sot e kësaj dite një nga misteret
e mëdha në historinë e Kishës.
“Një nga papët më të mëdhenj, që e kanë nderuar
Selinë romake”. Me këto fjalë e nisi Benedikti XVI përshkrimin e figurës së Shën Leonit
të Madh në katekizmin e audiencës së përgjithshme të 5 marsit 2008 në Vatikan.
Roli
i pasardhësit të Shën Pjetrit është unik në Kishë, sepse “një apostulli të vetëm iu
besua, ajo që iu komunikua të gjithë apostujve”, pohon Papa Racinger, duke cituar
një nga predikimet më të bukura të Shën Leonit të Madh, ipeshkvit të parë të Romës
me emrin Leon, Papës së parë, predikimet e të cilit kanë arritur deri në ditët tona.
E nga këto predikime, Benedikti XVI kujton posaçërisht fjalën e mbajtur nga Leoni
i Madh në Koncilin e Kalçedonisë, në vitin 451, i cili ngjalli aq shumë emocion e
entuziazëm, sa Etërit e Kishës pohuan njëzëri se “ishte vetë Pjetri që fliste me gojën
e Leonit”: “Posaçërisht nga ky fjalim, e nga të tjerë, mbajtur gjatë
polemikës kristologjike të këtyre viteve, Leoni vuri theksin mbi përgjegjësinë e Pasardhësit
të Pjetrit, roli i të cilit është unik në Kishë, sepse një apostulli të vetëm iu besua,
ajo që iu komunikua të gjithë apostujve, siç pohon Leoni në një nga predikimet e tij,
mbajtur në festën e Shën Pjetrit e të Shën Palit. Tregon kështu, se ushtrimi i parisë
së Pjetrit ishte i nevojshëm asokohe, ashtu siç është i nevojshëm edhe sot, për t’i
shërbyer bashkimit, karakteristik për Kishën e vetme të Krishtit”.
Të
kujtohet vetvetiu figura e tij edhe në kontekstin e audiencave të përgjithshme të
së mërkurës – na kujton Benedikti XVI – takime që, në dhjetëvjeçarët e fundit janë
bërë një formë e zakonshme e komunikimit me besimtarët e me vizitorë të tjerë nga
të katër anët e botës. Të kujtohet, sepse Leoni ishte predikatar i madh, që ndiqej
me interes nga mijëra besimtarë: “Posaçërisht Leoni i Madh u mësoi
besimtarëve të asaj kohe – e fjalët e tij vlejnë edhe sot për ne – se liturgjia e
krishterë nuk është kujtim i ngjarjeve të kaluara, por aktualizim i realiteteve të
padukshme, që veprojnë në jetën e secilit. Ai ishte njeri i paqes e i dashurisë. Na
mëson, kështu, rrugën në të cilën duhet të ecim: në fe, mësojmë dashurinë”.
Papnia
e Leonit të Madh, që zgjati 21 vjet – vijoi të kujtonte Benedikti XVI - mbetet një
nga më të rëndësishmet në historinë e Kishës. E kjo, jo vetëm pse theksoi me forcë
përgjegjësinë e pasardhësit të Pjetrit, por kryesisht sepse këtë përgjegjësi diti
ta ushtrojë mrekullisht mirë, në Perëndim e në Lindje, duke ndërhyrë me maturi, vendosmëri
e kthjelltësi, si përmes shkrimeve, ashtu edhe përmes legatëve të tij. Mbeti kështu
në kujtesën e Kishës si Kryebari që vijoi ta kumtojë me sukses Ungjillin edhe në kohë
tepër të vështira për Kishën, duke e lidhur ngushtë liturgjinë, me jetën e përditshme
të të krishterëve.