2009-11-10 16:36:43

Roli i Papës Gjon Pali II në rënien e Murit të Berlinit


(10.11.2009 RV)RealAudioMP3 “Ishte rezultati i një historie të gjatë shtypjeje dhe lufte kundër kësaj shtypjeje”. Me këto fjalë, kancelarja gjermane Angela Merkel kujtoi dje 20 vjetorin e rënies së Murit të Berlinit, në një ceremoni madhështore në kryeqytetin e Gjermanisë, në të cilën morën pjesë mëse 100 mijë vetë. Pasi nënvizoi se “bashkimi i Gjermanisë akoma nuk është plotësuar”, pasi “në Lindje treguesi i papunësisë është dyfishi i atij të Perëndimit”, Merkel përshkoi ish-kufirin që e ndate Berlinin më dysh.
Të pranishëm krerë shtetesh e qeverish. Presidenti amerikan Obama dërgoi një videomesazh. Por mungonte pikërisht ai që dha një kontribut të pamohueshëm me thirrjen e tij “Mos kini frikë” e me udhëtimet në Poloninë e Solidarnoshit e të Lek Valesës. Qe Papa Gjon Pali II. Papa Benedikti XVI ndoqi me vëmendje kremtimet e djeshme në Berlin. Jo më larg se një muaj më parë, ai citoi Gjon Palin II si “simbol të qartë të fundit të regjimeve totalitare komuniste në Evropën Lindore. Por, cili ka qenë roli i Papës Vojtila në rënien e Murit të Berlinit, simbolit të komunizmit, e cili është kontributi i të krishterëve në ndërtimin e Evropës? Pyetëm kardinalin Anxhelo Sodano. Sekretar i Shtetit të Vatikanit në kohën e papnisë së Papës polak. Sapo ka dalë nga botimi, libri i tij “Për një Evropë të re”. Ta dëgjojmë:
Ra atëherë një simbol i ndarjes së Evropës e sidomos filloi të bjerë Evropa qendro-lindore, ai sistem komunist, që iu imponua me forcë atyre popullsive. Ishte triumfi i lirisë së popujve. Pikërisht këtë tha Papa i ndjerë Gjon Pali II kur më vonë, në vitin 1996, vizitoi Berlinin. Para atij Muri e para Portës së Brandeburgut, Papa tha: “Porta e Brandeburgut është bërë Porta e lirisë”. Isha edhe unë me atë rast përkrah Papës dhe e kujtoj si tani mallëngjimin e kancelarit Kohl dhe të gjithë të pranishmëve, të cilët brohoritën stuhishëm, si për ta falenderuar Papën për kontributin e kthimit të lirisë në zemër të Evropës. Tashmë, ky kontribut njihet nga shumica. Dua vetëm të tregoj një dëshmi, siç mund të ishte ajo e ish-presidentit të Bashkimit Sovjetik, Gorbaçov, në vitin 1992: “Sot – tha atëherë ai – mund të themi se gjithçka ka ndodhur në Evropën lindore në këto vitet e fundit nuk do të ishte e mundur pa praninë e këtij Pape, pa rolin – edhe politik – që ai diti të luajë në skenën botërore”. Falë Papës dhe falë kontributit të shumë të krishterëve të Evropës, 20 vjet më parë filloi të ndërtohej një Evropë e re.
E cili është kontributi i të krishterëve për “Evropën e Re”?
Është kontributi i atyre që punojnë për të ndërtuar baza të forta për shtëpinë e re evropiane, baza vlerash shpirtërore. Për këtë, të gjithë të krishterët e Evropës – si katolikë, ashtu edhe ortodoksë apo protestantë – përpiqen të bashkëpunojnë, për të ndërtuar një Evropë të përshpirtshme. Ashtu si thotë Papa Benedikti XVI në enciklikën “Caritas in Veritate”: “Feja e krishterë dhe fetë e tjera mund të japin kontributin e tyre për zhvillimin, vetëm nëse Zoti gjen vend edhe në sferën publike, duke iu referuar veçanërisht përmasës kulturore, shoqërore, ekonomike e, sidomos, asaj politike. Doktrina shoqërore e Kishës ka lindur për të kërkuar këtë “status qytetarie” për fenë e krishterë… Përjashtimi i fesë nga sfera publike, ashtu si fondamentalizmi fetar, që është ekstremi tjetër, pengon takimin ndërmjet njerëzve dhe bashkëpunimin e tyre për përparimin e njerëzimit.







All the contents on this site are copyrighted ©.