2009-11-10 16:31:57

Përfundoi në Vatikan java e studimeve mbi astrobiologjinë. Sipas shkencëtarëve katër janë planetet ku mund të ketë jetë.


(10.11.2009 RV)RealAudioMP3 “Kërkimi i formave të ndryshme të jetës në planetet e tjera është diçka që ka kuptim.” Në këtë përfundim arritën pjesëmarrësit e javës së studimeve astrobiologjike që u mbyll sot në Vatikan promovuar me nismën e Akademisë Papnore të Shkencave të Observatorit të Vatikanit. “Java e studimeve mbi astrobiologjinë qe një rast i rëndësishëm për shkencëtarët e disiplinave të ndryshme.” Kështu e përkufizoi atë Atë Hoze Fuentes, drejtor i Observatorit të Vatikanit.
Astrobiologjia studion marrëdhëniet ndërmjet jetës dhe Gjithësisë. Sektorët kryesorë ku ajo është përqëndruar janë origjina e jetës, perspektivat e saj si edhe prania e mundshme e jetës në planetet e tjera.
Ja se si u shpreh në mikrofonin tonë prof. Xhonathan Lunin mbi këto çështje:

Përgjigje: Nuk dua të them se jemi shumë afër zbulimit të formave të reja të jetës. Ndoshta kjo do të ndodhë pas dhjetë a njëqind vjetësh, ose edhe kurrë. Por është e rëndësishme të kuptojmë gjërat që mund të zbulojmë dhe ato që nuk mund të zbulojmë. Do të jetë shumë e vështirë të vendosim se në ç’planet mund të ketë jetë, ose edhe vetë mundësinë për të pasur jetë.

Astrobiologjia, shtoi Atë Fuentes, është një disiplinë që bazohet tek shumë disiplina të tjera përfshi astronominë, kozmologjinë, biologjinë, kiminë, gjeologjinë dhe fizikën. Çështjet mbi origjinën e jetës paraqesin në vetvete edhe probleme filozofike dhe teologjike por kjo javë studimesh, vijoi atë Fuentes, u përqëndrua mbi të gjitha tek perspektivat shkencore. Por ç’do të ndodhte sikur njeriu të ndeshej me forma të tjera të jetës? Kësaj pyejtjeje i përgjigjet pikërisht Atë Fuentes. Ta dëgjojmë:

Përgjigje: Njerëzimit do t’i ndodhte ajo që i pati ndodhur evropianëve kur u takuan me popujt të tjerë të panjohur. Mund ta marrim me mend se çfarë kanë menduar amerikanët e hershëm kur janë takuar me evropianët. Do të ishte edhe një takim ndërmjet kulturave dhe civilizimeve.

Por sot për sot ende nuk ka ardhur çasti i lajmeve sensacionale vijon Atë Fuentes:

Përgjigje: “Nuk mund të lajmërojmë e të themi se kemi zbuluar jetë në gjithësi. Shkencëtarëve iu duhet dhënë mundësi të mund t’i vazhdojnë kërkimet e tyre, sepse duke bërë kërkime mund të mësojmë shumë gjëra.

Duke folur në pas për trashëgiminë e paçmueshme shkencore, prof. Kris Impei nënvizoi faktin se 400 vjet më parë Galileo Galileu e revolucionarizoi mënyrën e raportimit të njeriut me Gjithësinë. Këto 15 vitet e fundit vijoi ai, shpikjet teknologjike kanë bërë që të zbulohen më se 400 planete përtej sistemit diellor. Gjithashtu mund të pohohet se ka shumë vende të banueshme në Kashtën e Kumtrit.

Në Gjithësi, pra, gjenden të shpërndara thërrime që janë të lidhura ngushtë me jetën. Profesoresha Athina Kosutenis, kujtoi në veçanti se nën sipërfaqen e satelitit Evropë, në sistemin e Jupiterit, është dalluar prania e një sasie të madhe uji në gjendje të lëngshme. Në këtë oqean ka mundësi të ketë forma jete. Pastaj, përveç planetit Mars dy satelitë të tjerë paraqesin interes të veçantë për astrobiologët. Ata janë Titani dhe Enkeladi, pjesë e sistemit të Saturnit. Titani ka karakteristika shumë të ngjashme me Tokën ndërsa Enkeladi duket se i plotëson kushtet e nevojshme për të pasur jetë.







All the contents on this site are copyrighted ©.