7 vjetori i fillimit të procesit dioqezan për lumturimin e 40 martirëve të kohës së
komunizmit në Shqipëri
(10.11.2009 RV)Vizita e Prefektit të Kongregatës së Vatikanit për Ungjillëzimin
e Popujve Kardinali Kreshencio Sepe në Shqipër, në nëntor të vitit 2002, na kujton
sot edhe përvjetorin e shtatë të fillimit të procesit dioqezan për lumnimin e 40 martirëve,
kryesisht viktima të diktaturës komuniste më 10.11.2002. Kardinali Kreshencio Sepe,
asokohe prefekt i Kongregatës së Vatikanit për Ungjillëzimin e Popujve, sot kryeipeshkëv
i Napolit, arriti në Shqipëri më 8 nëntor 2002. Veprimtaria e tij e parë ishte kremtimi
i Eukaristisë në katedralen e re të Shën Palit në Tiranë, ndërtesë madhështore, që
flet vetë e tregon sa hapa të mëdha përpara ka bërë Kisha katolike vetëm pak vjet
pasi rifitoi lirinë e filloi periudhën e vështirë të rilindjes. Për këtë kardinali
falënderoi kryeipeshkvin e Durrës-Tiranës, Imzot Rrok Mirditën. E ishte pikërisht
katedralja në qëndër të homelisë që mbajti Kardinali, i cili nuk mund të mos kujtonte,
që në krye, vizitën e Atit të Shenjtë Gjon Palit II në Shqipëri pikërisht dhjetë vjet
më parë, më 25 prill 1993, ditë në të cilën jo vetëm i dhuroi Kishës shqiptare ipeshkvijtë
e parë të pas salvimit, por nga Sheshi Skënderbeg, katedralja e parë e bashkësisë
katolike kryeqytetase, i drejtoi mbarë shqiptarëve mesazhin e tij të paqes e të pajtimit.
Jeni gjithnjë në zemër të Papës, i cili ju bekon ju, fëmijët tuaj, familjet tuaja
- u tha kardinali Sepe besimtarëve - këtë Ati i Shenjtë më porositi t'jua them, ndërsa
shkova ta përshëndes para se të nisesha për rrugë. Në vijim të homelisë kardinali
Sepe vuri në dukje traditën e bashkëpunimit e të harmonisë fetare në Shqipëri, shembull
për të gjithë Ballkanin, dhe e porositi bashkësinë katolike të vijojë ecjen në rrugën
e harmonisë ndërfetare. Më pas kardinali u ndal te katedralja e re e te Krishti
i Kryqëzuari që sundon pamjen nga elteri i saj i madh, i cili na kujton, njëkohësisht
me flijimin e Jezusit, edhe flijmin e martirëve që derdhën gjakun për t'i qëndruar
besnikë. E kjo nuk është tragjedi e lashtë - nënvizoi Kardinali - madje besoj se shumë
prej të pranishëmve në këtë kremtim, janë dishmitarë pamorë të terrorit të kuq. Prandaj
mund të themi me plot gojën se Kisha shqiptare shkruhet me shkronja të mëdha në librin
e artë të Martiriologut të shekullit XX. Duke ia ngulur sytë Jezusit të Kryqëzuarit,
nuk duhet t'i harrojmë kurrë fjalët e tij: "Shërbëtori nuk është më i madh se zotëria.
Në se më persekutuan mua, do t'ju perskutojnë edhe juve!". Po tani nata e zezë
e komunizmit u davarit e zbardhi agimi i fesë që na fton të ndërtojmë një bashkësi
të fortë, ta predikojmë Ungjillin në drejtësi, dashuri e paqe, theksoi Kardinali,
dhe në vijim falënderoi misionarët e misionaret për ndihmesën që i kanë dhënë shoqërisë
shqiptare, pa kursyer as jetën, duke ofruar madje shembuj të rinj flijimi deri në
vdekje. E këtu Hirësia e Tij kujtoi misionarin Atë Ettore Cunial, vrarë në Durrës
më 6 tetor 2001 si dhe kërcënimet që iu bënë etërve salvatorianë në Bilaj. Shenjtëri
- këtë u kërkoi kryesisht misionarëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre Kardinali Sepe,
duke u dhënë zemër të ecin përpara me besim e duke i porositur t'i kushtojnë vëmendje
të posaçme thirrjeve për rrugën meshtarake e rregulltare, shtimit të grupeve të lutjes,
shembullit personal që duhet t'u japin të rinjve të seminarit, në mënyrë që të realizohet
me sukses porosia themelore e Jezusit: t'u kumtohet Ungjilli të gjithë njerëzve, deri
në skajet më të largëta të tokës. Në përfundim kardinali kujtoi Nënë Terezën, bijë
e kësaj toke, që ka arsye të krenohet me të e jo më pak, të ecë në gjurmët e saj të
ndritura. Të nesërmen, më 9 nëntor 2002 paradite, kardinali Sepe shuguroi katedralen
e re të Rrëshenit, ndërsa pasdite, Hirësia e tij u takua me prelatët e Konferencës
Ipeshkvnore Shqiptare në Seminarin e madh të Zojës së Këshillit të Mirë në Shkodër,
për të kremtuar më pas, lutjet mbrëmësore me rastin e 10-vjetorit të hapjes së këtij
Seminari, aq të rëndësishëm për të sotmen e të ardhmen e Kishës në Shqipëri, prej
nga tashmë kanë dalë meshtarët e parë vendas të pasdiktaurës. Më 10 nëntor 2002,
ditë e dielë, kardinali udhëhoqi Eukaristinë në katedralen e Shkodrës, duke shpallur
fillimin e procesit për beatifikimin e 40 martirëve; pasdite kremtoi në Vaun e
Dejës. Më 11 nëntor ishte radha e Dioqezit të Pultit: kardinali kremtoi Meshën
Shenjte në katedralen e Bajzës, ndërsa pasdite u takua me priftërinjtë, rregulltarët
e rregulltaret e dioqoezit të Lezhës e të Rrëshenit.Kanë kaluar shtatë vjet që
atëhere, e gjatë këtyre vjetëve ka ecur përpara procesi i lumnimit të 40 martirëve,
hapja e të cilit shënon kulmin e vizitës që përkujtuam.