2009-11-09 17:23:36

Laborator për virusin e gripit të derrave në Shqipëri


(09.11.2009 RV)Në Institutin e Shëndetit Publik në Tiranë fillon nga puna një laborator i ri, i cili do të mund të analizojë edhe virusin përgjegjës për gripin e derrave, apo për gripin AH1N1. Deri tani, kampionet çoheshin për t’u analizuar në një laborator në Rumani dhe përgjigjia vinte pas pesë ditësh. Tani, ajo mund të jetë gati pas pesë orësh. Ndërtimi i laboratorit u bë i mundur falë mbështetjes së Bankës Botërore. Sipas Institutit të Shëndetit Publik, numri i të infektuarve në Shqipëri arrin në 44 vetë, por të gjitha rastet janë shëruar.
Laboratori i ri Virologjik në Institutin e Shëndetit Publik, i cili u përurua sot, do të bëjë të mundur ekzaminimin në kohë të virusit pandemik A (H1N1), i njohur ndryshe si gripi i derrit. Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, i pranishëm në përurimin e këtij laboratori, vlerësoi se ky laborator, i një standardi bashkëkohor, mund të konsiderohet një nga më të mirët në Europën Juglindore. Sipas tij, "përveç ciklit të viruseve të rëndësishëm që do të ekzaminohen në të, ne mbyllim ciklin e ekzaminimit të Shqipëri të virusit pandemik, i njohur si gripi i derrit".
"Shqipëria radhitet në avangardën e teknologjisë europiane e botërore, në drejtim të viruseve përkatëse, të cilët do të ekzaminohen në kohë reale brenda 24 orëve", theksoi Vasili. Ky laborator, sipas ministrit të Shëndetësisë, "është një investim i rëndësishëm, me një kredi të Bankës Botërore, ku ka pasur dhe aktorë të tjerë që kanë dhënë mbështetjen e tyre, si Organizata Botërore e Shëndetësisë, Qendra e Kontrollit të Sëmundjeve në Atlanta (SHBA)".
Kostoja e përgjithshme e financimit për laboratorin e ri, rreth 750 mijë dollarë, përfshin punimet civile, blerjen e teknologjisë diagnostikuese, si dhe kualifikimin e stafit.
Teknologjia e re (Real Time PCV) në këtë laborator mundëson përshpejtimin e kryerjes së diagnozës në më pak se një ditë, duke ndihmuar sistemin shëndetësor në menaxhimin e situatës klinike dhe epidemiologjike të gripit të ri pandemik. Në kushte normale, ky laborator do të përpunojë 21 mostra në ditë, ndërsa në kushte emergjence, kapaciteti dignostikues mund të arrijë nga 50 deri në 100 mostra klinike (raste) në 24 orë.
Në këtë laborator do të vijojnë të kryhen në standarde më të larta të gjitha analizat e kryera më parë për viruse të rëndësishme për shëndetin publik, sikurse poliomeliti, fruthi, rubeola, etj. Ndërkohë që shumë shpejt do të bëhet e mundur dhe kryerja e analizave të tjera për sëmundje të rrezikshme virale.







All the contents on this site are copyrighted ©.