Hapet një rrugë e re për ekumenizmin: u botua Kushtetuta Apostolike “Anglicanorum
Coetibus”, për anglikanët që hyjnë në bashkim të plotë me Kishën katolike.
(09.11.2009 RV)Dokumenti hap një rrugë të re për nxitjen e bashkimit të të
krishterëve, duke njohur, njëkohësisht, ndryshimet e ligjshme në mënyrën e shprehjes
së fesë sonë të përbashkët”: ky është, thënë me dy fjalë, kuptimi i Kushtetutës Apostolike
“Anglicanorum Coetibus”. Kushtetuta, që u botua sot, është nënshkruar nga Papa
më 4 nëntor, në festën përkujtimore të Shën Karl Borromeut. U përgjigjet kërkesave
të shumta të anglikanëve, nga të katër anët e botës, për t’u bashkuar plotësisht me
Kishën katolike. Dokumenti ka 31 nene e shoqërohet nga një sërë normash plotësuese,
hartuar nga Kongregata për Doktrinën e Fesë. Mbi domethënien e Kushtetutës Apostolike
“Anglicanorum Coetibus”, të ndjekim Atë Xhanfranko Girlandën, jezuit,
rektor i Universitetit Papnor Gregorian e këshilltar i Kongregatës për Doktrinën e
Fesë:
Përgjigje: - Domethënia kryesore është gatishmëria e
Atit të Shenjtë, i cili i përgjigjet një kërkese, bërë disa herë nga grupe anglikanësh,
që dëshirojnë të bashkohen plotësisht me Kishën katolike. E do të thosha se ka rëndësi
të sqarohet se kërkesa erdhi nga ana e tyre. Prej këndej, Papa parapërgatiti një mjet
juridik për t’i pranuar, si Dioqeza Personale, në mënyrë që të ruajnë traditën e tyre
shpirtërore, liturgjike e baritore, por duke bërë pjesë në Kishën katolike, domethënë,
jo duke formuar një ‘kishëz’, brenda Kishës katolike.
Pyetje: -
Pse u zgjodh rruga e Dioqezave Personale?
Përgjigje: - Sepse
është një rrugë elastike. Nuk është krejtësisht e re, nga që kemi prej kohe Ipeshkvitë
ushtarake, me të cilat përkojnë e ndryshojnë njëkohësisht, sepse Dioqezat Personale
nuk bashkëpunojnë me ipeshkvijtë e tjerë vendas por, si laikët, ashtu edhe institutet
rregulltare e klerikët, formojnë popullin e Zotit të një qarku kishtar. Ky qark përkon
me një Kishë të veçantë, por nën juridiksionin personal të ipeshkvit, që e drejton
Dioqezën në emër të Papës, jo në emër të vet.
Pyetje: - Pra, nuk
kemi të bëjmë me një rit të ri?
Përgjigje: - Jo. Më mirë mund
të themi se ka një farë përkimi me ritin ambrozian, që e kemi brenda Kishës latine.
Pyetje:
- E përsa i pëket çelibatit?
Përgjigje:- Përsa i përket
rregullit të çelibatit, nuk është i ri fakti se meshtarët e martuar anglikanë dëshirojnë
të shugurohen në Kishën katolike në radhët e meshtarisë, duke vijuar të jenë të martuar.
Një dispozitë e tillë ekziston që në kohën e Gjon Palit II, por si përjashtim, ndërsa
rregulli i përgjithshëm mbetet gjithnjë çelibati kishtar.