2009-11-08 16:15:57

Spitali pediatrik “Bambin’ Gesù” i Romës: fushatë për të ndihmuar fëmijët e sëmurë.


(08.11.2009 RV)T’i dhurohen katër bileta udhëtimi me avion katër fëmijëve të huaj të sëmurë rëndë, duke iu krijuar kështu mundësinë të vinë në Itali për t’u kuruar, që t’u shpëtohet jeta. Ky është synimi i fushatës me karakter shoqëror që ka nisur spitali pediatrik “Krishti Fëmijë”, apo “Bambin’ Gesù” i Romës. Nisma quhet “Bashkëudhëtarë” dhe ka si synim mbledhjen e të hollave, gjatë periudhës së Krishtlindjes edhe për blerjen e një pajisjeje TAK të fjalës së fundit të teknikës.
Bëhet fjalë për një kartolinë Krishtlindjeje të veçantë me një surprizë brenda: një fletë e ilustruar me udhëzimet sesi të ndërtosh një aeroplan prej letre. Kush e blen këtë lloj kartoline ndihmon me të vërtetë në grumbullimin e fondeve për blerjen e katër fluturimeve për katër fëmijë të sëmurë, që vuajnë nga sëmundje zemre ose onko-hematologjike, të cilët falë këtyre biletave mund të vijnë në Itali me avion për kurime. Fëmijët që janë zgjedhur deri tani vijnë nga Ukraina, Maqedonia, Pakistani dhe nga Iraku. Por në spital thonë se, nëse fondet që do të grumbullohen janë më shumë, atëherë do të dhurohen më shumë se katër bileta avioni.
Është kjo një mënyrë origjinale e këtij spitali për të festuar 140-vjetorin e themelimit. Në mikrofonin tonë flet drejtori i spitalit, Xhuzepe Profiti:
Përgjigje: Personeli i spitalit “Krishti Fëmijë” këto vite ka organizuar udhëtimet e shumë fëmijëve. Ka bërë shumë, duke iu mundësuar këtyre fëmijëve shtegtimin e jetës. Qëllimi është t’u sigurohet një biletë avioni atyre që kanë probleme, që të vijnë këtu tek ne për kurime e të vazhdojnë pastaj rrugëtimin e tyre në këtë botë.
Një tjetër synim i fushatës është edhe ai i blerjes së një pajisjeje teknike TAK të fjalës së fundit, e cila është në gjendje të paraqesë në mënyrë tridimensionale dhe të menjëhershme organet e brendshme të trupit të njeriut, duke i rritur në këtë mënyrë mundësitë e diagnostikimit dhe të kurimit të sëmundjeve. Përsëri në mikrofonin tonë flet drejtori i spitalit, Xhuzepe Profiti:
Përgjigje: Tek fëmijët është shpresa. Një fëmijë i përmbledh të gjitha shpresat, të vetat, por edhe ato të të tjerëve.
Kumbarë i kësaj fushate do të jetë këngëtari dhe kompozitori i famshëm italian. Klaudio Baljoni, që i ka kushtuar kësaj nisme një album muzikor të vetin.







All the contents on this site are copyrighted ©.