2009-11-08 16:18:24

Shenjtorët e Javës së ardhshme sipas kalendarit kishtar


Sot e diel 8 nëntor Kisha Katolike kremtoi të dielën e 32-të gjatë vitit Kishtar. E po sot me 8 nëntor kalendari përkujton edhe shën Adeodatin I papë si dhe Shenjtorët e Martirët, reliket e të cilëve pushojnë në paqe në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan. Përkujtimi i këtyre shenjtorëve na kujton se ta kesh zemrën të lirë, nuk do të thotë t’i shembësh urat që të lidhin me të gjithë e me gjithçka, të jetosh sikur të tjerët të mos ishin, por do të thotë t’u japësh të gjitha gjërave peshën e drejtimin e duhur. Kështu mund të bëhemi nxënës që ulen për të mësuar çdo ditë në bankat e shkollës së Zotit.
Në festën e Kushtimit të Bazilikës së Lateranit në Romë të hënën, pra nesër me 9 nëntor, liturgjia na kujton se ky tempull është katedralja e ipeshkvit të Romës dhe Kisha nënë e të gjitha Kishave romake e, sidomos, se tempujt e ndërtuar nga duart e njeriut janë në shërbim të gurëve të gjallë, dmth të Kishës që secili nga ne është i thirrur ta ndërtojë në zemër të vet, së bashku me të gjithë vëllezërit.
 
Të martën e ardhshme me 10 nëntor, sipas kalendarit Kishtar bie festa e Shën Leonit të madh, papë e doktor i Kishës, që na kujton se po të ecim sipas shembullit të atyre që e morën seriozisht mesazhin ungjillor, duke flijuar jetën për të gjithë, mund të shpëtojmë nga çdo lloj skllavërie e të drejtohemi nga të mirat e amshuara, që na janë premtuar.
Të mërkurën me 11 nëntor do të kremtohet festa e Shën Martinit, ipeshkëv i Turit dhe Shën Bartolomeut, abat i Grotaferratës. Liturgjia e kësaj dite na kujton se kush jeton për Zotin, dhuron gjithnjë me duar plot e nuk mbetet kurrë i zhgënjyer.
Të enjten e ardhshme me 12 nëntor kalendari kishtar përkujton Shën Jozafatin, ipeshkëv e martir si dhe Shën Diegon, laik françeskan. Shenjtorët na kujtojnë se lutja e vazhdueshme dhe bamirësia, janë dy cilësitë që e dallojnë të krishterin, i cili sillet kështu sepse përpiqet t’i ngjasë Zotit. Duke jetuar me lutje e dashuri, ecim të sigurtë në rrugët që çojnë drejt qiellit
Të premten me 13 nëntor, do të kremtohet festën e Shën Nikollës I papë e të Shën Agostina Pietrantonit, virgjër. Këta na kujtojnë se Jezusi i jep tri porosi atij që dëshiron ta ndjekë: të mos largohet kurrë nga Zoti, të falë e të lypë dhantinë e fesë. Besnikëria ndaj këtyre tri porosive sjell fryte që nuk mund të përfytyrohen.


Festa e Shën Serapionit, ipeshkëv i Aleksandrisë, që do të kremtohet të shtunën e ardhshme me 14 nëntor, na kujton se Jezusi na mëson të kënaqemi sepse jemi me Të e jo sepse bëjmë ndonjë gjë. Rëndësi ka të jesh me Zotin; rezultatet e frytet, të cilat nuk janë në dorën tonë, nuk i mungojnë njeriut që jeton me bindjen se shpëtimi vjen nga Zoti.


Të dielën e ardhshme me 15 nëntor do të kremtohet e diela e 33-të gjatë vitit Kishtar e po të dielën e ardhshme me 15 nëntor, kalendari do të përkujton edhe Shën Albertin e madh, ipeshkëv e doktor të kishës dhe Shën Jozef Pinjatelin, meshtar jezuit. Figurat e tyre na kujtojnë se Jezusi shëroi shumë të gërbulur, po vetëm njëri u kthye ta falënderojë atë, që ka forcë të shërojë sëmundjet e korpit e të shpirtit. I krishteri i vërtetë duhet ta pranojë çdo çast pushtetin e Zotit mbi jetën e tij e duhet të jetë i vetëdijshëm se është Hyji ai, që na prin drejt të mirave të jetës së amshuar.







All the contents on this site are copyrighted ©.