2009-11-08 16:55:39

Papa Benedikti XVI për vizitë në Bresha të Italisë


(08.11.2009 RV)Papa Benedikti XVI bëri sot një vizitë baritore në Bresha dhe në Konçesio të Italisë. Ishte udhëtimi i tij i 17-të në tokën italiane. Rasti qe 30 vjetori i vdekjes së Papës Pali VI, i cili ishte nga këto anë. Kujtojmë se ky Papë u nda nga kjo jetë në Kastel Gandolfo, më 6 gusht 1978.
Benedikti XVI u prit në aeroportin ushtarak të qytetit nga ipeshkvi, imzot Luçiano Molinari, nga zv-sekretari i Këshillit të Ministrave, Xhani Leta, në përfaqësi të qeverisë italiane, nga ambasadori i Italisë pranë Selisë së Shenjtë, nga Nunci Apostolik në Itali, nga presidenti i Qarkut të Lombardisë e nga kryetari i bashkisë së Breshës. Gjatë udhëtimit me makinë për në qytet, Papa u ndal në kishën e Botiçino Serrës, për të nderuar reliket e Shën Arkangjelo Tadinit (1846-1912), i cili është ngritur në nderimet e elterit nga vetë Benedikti XVI më 26 prill 2009.
Sapo mbërriti në Bresha, Papa kaloi para lapidarit që kujton aktin terrorist të 28 majit 1974, në të cilin mbetën të vrarë 8 vetë e më pas shkoi në katedralen e qytetit. Aty, u ndal para monumentit të Palit VI, nderoi reliket e Shën Andreut dhe të Shën Benediktit e mori pjesë në adhurimin e të Shenjtnueshmit Sakrament.
Në orën 10.30, Mesha Solemne në sheshin Pali VI, para katedrales, pas së cilës Benedikti XVI tha edhe Lutjen e Engjëllit të Tënzot. Pas një ndalese të shkurtër për të falenderuar organizatorët e vizitës në Qendrën Baritore Pali VI, Papa shkoi në Konçesio, vend në të cilin lindi Xhovani Batista Montini, më 26 shtator 1897. Ati i Shenjtë vizitoi pikërisht shtëpinë ku lindi Papa Pali VI dhe u takua me familjarët.
Në Auditoriumin Vitorio Montini, në orën 17.30, Benedikti XVI përuroi selinë e re të Institutit Pali VI dhe i dha Çmimin e katërt ndërkombëtar “Pali VI” serisë franceze “Sources Chrétiennes” (Burime të krishtera), në personin e drejtorit Bernard Munjé. Pas fjalimit të shkurtër, Papa shkoi në fraksionin e Konçesio Pieve, ku vizitoi kishën e Shna’Ndout, në të cilën u pagëzua Xhovani Batista Montini, më 30 shtator 1897. Pikërisht këtu, Ati i Shenjtë përshëndeti për herë të fundit bashkësinë e Konçesios dhe u kthye në Vatikan.







All the contents on this site are copyrighted ©.