2009-11-07 11:33:11

Me 7 nëntor 1594 u mblodh kuvendi i Shën Mërisë në Ndërfandën për të organizuar luftën çlirimtare kundër sundimit osman


(07.11.2009 RV)Duke shfletuar kalendarin historik, kujtojmë se më 7 nëntor të vitit 1594, u mblodh në manastirin e Shën Mërisë në Ndërfandën ( disa mendojnë në Mat) një kuvend i përgjithshëm i krerëve shqiptarë për të hartuar projektin e kryengritjes dhe të çlirimit të krejt vendit. Krerëve shqiptarë, Tom Plezhja e Mark Gjini, të cilët mbanin edhe titullin e kalorësit, si dhe ipeshkvit imzot Nikollë Mekajshi, iu ngarkua detyra të hynin në bisedime me Papën për zbatimin e projektit të kryengritjes.
Fshehtaz Republikës së Venedikut, që nuk donte të prishte paqen me Stambollin, projekti iu paraqit delegatit të papës në shkurt të vitit 1595. Kërkesat e përfaqësuesve shqiptarë në Romë për të siguruar armë nuk dhanë asnjë fryt. Papa i këshilloi shqiptarët që të prisnin mbasi nuk kishte ardhur koha e duhur.
Nga ana tjetër, Venediku, mundi t’i përçajë radhët e pjesëmarrësve të kuvendit duke shfrytëzuar ndikimin e vet mbi disa krerë. Në qershor të vitit 1595 kur në Shqipëri u mor vesh formimi i koalicionit evropian kundër shtetit osman, krerët shqiptarë njoftuan Papën se shqiptarët katolikë e ortodoksë ishin gati të fillonin kryengritjen sapo të niste lufta.
Në të njëjtën kohë edhe në krahinat e Shqipërisë Jugore u bënë përpjekje për të siguruar armë e mjete për kryengritjen nga shtetet evropiane.







All the contents on this site are copyrighted ©.