2009-11-07 10:51:34

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 32-të gjatë vitit Kishtar ‘B’


(07.11.2009 RV)RealAudioMP3 Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj herët do të dëgjojmë dhe meditojmë së bashku leximet biblike të Liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 32-të gjatë vitit kishtar, ciklit të dytë, sipas kalendarit liturgjik kishtar.
Lum të varfërit në shpirt: e tyre është mbretëria e qiejve..
Nëse dashuria është urdhri i parë, thjeshtësia e zemrës e transparenca e jetës janë kushtet themelore për të vërtetuar autenticitetin. Këtë të diele Jezusi na ndihmon duke tërhequr vëmendjen tonë jo aq mbi atë që bëhet bërë, as mbi sa duhet bërë, por mbi atë se “SI” duhet bërë apo vepruar, pra mbi cilësinë e dhuratës e të bujarisë sonë.
Sa e duam Zotin? Aq sa e duam të varfrin, atë që ka nevojë për ne, të huajin, emigrantin, të mënjanuarin dhe e ndihmojmë falas, me respekt e dashuri.
Sa e duam të afërmin? Aq sa e duam Zotin dhe kemi besim në Të. Shembull i kësaj janë dy gratë vejusha për të cilat na flet Liturgjia e Fjalës së Zotit e kësaj së diele, duke na paraqitur shembullin e tyre. Dy e vejushat e varfra, janë të afta të dhurojnë veten e gjithçka kanë: mikpritja e vejushës së parë shpërblehet, kompensohet nga mrekullia e Elisë profetë ( për çka flet leximi i parë nga Libri i parë i Mbretërve 17,10-16) dhe bujaria e përvujtë e vejushës së dytë që meriton lëvdatën e jashtëzakonshme nga Jezusi ( për çka flet pjesa ungjillore kësaj së diele marrë nga Marku 12,38-44).

Këto dy gra të veja në aftësinë e tyre të dhurimit, të bujarisë,
të zemërgjerësisë së tyre janë figura shprehin shembullin e Krishtit, i cili ka ofruar e dhuruar vetveten një herë e përgjithmonë për shëlbimin e njerëzimit, pra për çlirimin e njerëzimit nga egoizmi, robëria e mëkatit dhe e vdekjes e përjetshme.

Sjelljet, pra shembulli i dy vejushave që na propozon Liturgjia e Fjalës, bëhen mësim themelor për të jetuar fenë e krishterë, e këndej janë objekt i lutjes së Meshës së kësaj të diele. Në të vërtetë në lutjen e dytë të Meshës ne, si besimtarë, i kërkojnë Zotit ndihmë në mënyrë që “…të gjithë të mësojmë të falim, të mësojmë të dhurojmë sipas shembullin të Atij që ka dhuruar vetveten…”.

E veja e parë na përshkruhet në leximin e parë të kësaj së diele, në Librin e parë të Mbretërve: Elia nuk heziton as nuk ka frikë ti kërkojë gjithçka i mbetët kësaj vejushe për mbijetesë e ajo i beson profetit dhe i dhuron gjithçka kishte. Në këtë gjest ajo bëhet simbol i atyre që janë të aftë ti besojnë Zotit e të mbështeten në Fjalën e Tij Hyjnore, përkundra të gjitha vështirësive të jetës.

Kështu, leximi i dytë nga Letra e Hebrenjve ( Heb 9.24-28): na paraqet Krishtin si ndërmjetësuesin e vetëm ndërmjet njerëzve dhe Zotit sepse Ai i ka ofruar e dhuruar vetveten Atit Qiellor, njëherë e përgjithmonë për shpëtimin e çdo njeriu. Në këtë dhurim të vetëm e përfundimtar Jezusi bartë me vete mbarë njerëzimin, i cili tani mund të shpresojë në përqafimin e Atit Qiellor.

Edhe e veja, për të cilën flet pjesa e Ungjillit të kësaj së diele nga Marku 12.38-44, lëvdohet nga Jezusi jo për ofertën e saj të vogël e të pakët që fali në tempull, por sepse ka dhënë “gjithë atë që kishte për të jetuar”: kjo fjali përmbledhë dhe pasqyron gatishmërinë e plotë të kësaj gruaje të varfër, e cila në pikërisht atë dhuratë të vogël, ajo që fali e dhuroi tërë vetveten për varfrit . Për këtë arsye ajo bëhet shenjë e dashurisë së Zotit.

Liturgjia e Fjalës së Zotit e kësaj së diele na flet për një realitet që duket se është harruar nga shoqëria jonë bashkëkohore e pasur, e ngopur dhe çorientuar. Përmes Fjalës së Tij, Zoti na orienton drejt vlerave të vërteta njerëzore e shpirtërore siç është besimin në Provaninë Hyjnore e solidariteti, fryt i fesë së vërtetë e të gjallë në Hyjin dhe dëshmi e bujarisë ndaj të varfërve.

Një grua e vejë e Sareptës e dhuron bukën e mbramë që kishte. Një tjerë grua e vejë e Jerusalemit e dhuron paranë e fundit. Dy gra, të varfra, pa identitet, pa emër, të lënduara në dashuri, e dorëzojnë jetën e tyre. Në Sareptë përgjigja është një mrekulli, buka e pashtershme, buka që nuk ka të mbaruar. Në Jerusalem nuk ka kurrfarë mrekullie. Mirëpo mrekullia tashmë ka ndodhur, dhurimi i copës (pjesës) së mbramë të jetës: sepse të japësh do të thotë jetosh, të mbash për vete do të thotë të vdesësh.

Gjesti që dy gratë bëjnë është diçka e palogjikshme, nuk është punë e mençur. Nuk është mençuri të hedhësh paratë e vogla që ke në thesarin e tempullit, por është shkandull e shkëndijë shprese.
Kësaj gruaje nuk ia dimë as emrin, nuk ia njohim as fytyrën, as sytë e saj, por ia njohim zemrën e saj, me rrahjet e veta të çuditshme, ato të vetmisë, të varfërisë, por edhe të shpresës. Shpresa e dëshpërimit të atij që e provokon Zotin e gati gati e detyron: unë kam menduar në Ty, të kam konsideruar e trajtuar si thesarin e gjënë më të rëndësishme të jetës sime. Tani të takon Ty të mendosh për mua.

Jezusi, ulur, vështron se si njerëzit hidhnin monedha në thesarin e tempullit. Vështron jo sa jepnin, por si i dhuronin ofertat. Jezusi nuk shikon sasinë por me sa zemër e bëjnë gjestin e bujarisë e të dashurisë, me sa vërtetësi e zemër të pastër dhurojmë e ndihmojmë të tjerët. Zotit nuk i jepet as shumë, as pak, as asgjë, por gjithçka..RealAudioMP3

Liturgjia e Fjalës së Zoti

Leximi i parë 1 Mbr 17, 10-16

Çfarë duhet të admirojmë më shumë në këtë pjesë: besimin e profetit Elia apo bujarinë e vejushës së shkretë që heq dorë nga ushqimi i pakët i mbetur për t’ia dhënë profetit? Elia, njeri i Hyjit, pranon varfërinë e tij të thellë dhe i kërkon ndihmë një paganeje për të vazhduar të jetojë. Ndërsa vejusha është e gatshme të japë të gjithë ushqimin duke mos menduar për atë që do të ndodhë nesër. Kush ka dhënë gjithçka nuk habitet kur merr gjithçka.

Lexim prej Librit të parë të Mbretërve

Në ato ditë, Elia u çua e shkoi në Sareptë. Kur arriti te dyert e qytetit, gjeti një grua të vejë duke mbledhur dru. Elia e thirri e i tha: “Ma sill pak ujë në katrovë që të pi.” Kur u nis ajo për t’i sjellë ujë, ky e thirri prapë dhe i tha: “Të lutem, më sill edhe një kafshatë bukë në dorë!”
Ajo iu përgjigj: “Pasha Zotin, Hyjin tënd, unë nuk kam bukë, por vetëm një grusht miell në tinar dhe pakëz vaj në qyp. Ja, po i mbledh dy-tre dru e do të shkoj në shtëpi për ta gatuar për mua e për djalin tim, do ta hamë e do të vdesim.” Por Elia i tha: “Mos ki frikë aspak por shko e bëj siç the; porse më parë ma piq mua një kulaç të vogël me atë miell që ke e ma sill, dhe pastaj gatuaj për vete e për djalin tënd. Sepse kështu thotë Zoti, Hyji i Izraelit: ‘Në tinar mielli s’do të mbarojë, në qyp vaji s’do të mbarojë – derisa të vijë dita që Zoti të falë shi mbi tokë’.”
Ajo shkoi e bëri si i tha Elia. Dhe u ushqye ajo, Elia dhe familja e saj për shumë ditë. Tinari i miellit nuk u mbarua as qypi i vajit nuk u pakësua sipas fjalës së Zotit që e tha me anë të Elisë.
Fjala e Zotit.


Psalmi 146

Lum skamnorët në shpirt: sepse e tyre është Mbretëria qiellore
----------
Zoti e mban besnikërinë për amshim,
u jep të drejtën të nëpërkëmburve,
u jep ushqim të uriturve.
Zoti i çliron robërit.
----------
Zoti u jep dritën e syve të verbërve,
Zoti i ndreq të kërrusurit,
Zoti i do të drejtët,
Zoti i mbron ardhacakët.
----------
U ndihmon bonjakëve e të vejave,
ndërsa mëkatarëve ua pështjellon udhët.
Zoti do të mbretërojë për jetë,
Hyji yt, o Sion, nga breznia në brezni.
----------

Leximi i dytë Heb 9, 24-28

Kryepriftërinjtë hynin në shenjtëroren e tempullit një herë në vit. Kur Jezusi, nëpërmjet kryqit hyn në shenjtëroren e qiejve, veprimi i tij nuk mund të përsëritet: ndodh një herë e përgjithmonë.
Për historinë universale, vdekja e Krishtit është përmbysja më e madhe pas së cilës njerëzimi nuk mund të kthehet prapa, dhe lufta e njerëzve bëhet një ringjallje ashtu si ajo e Jezusit.

Lexim prej Letrës drejtuar Hebrenjve

Krishti nuk hyri në Shenjtëroren e Shenjtëroreve të punuar me dorë, që është vetëm shembëllesë e thjeshtë e asaj të vërtetës, por drejt në qiell: që tani të ndërmjetësojë për ne para fytyrës së Hyjit. Jo veç, që shumë herë ta flijojë vetveten sikurse kryeprifti çdo vit hyn në Shenjtëroren e Shenjtëroreve me gjak të huaj; - përndryshe i ishte dashur të pësojë shumë herë qysh prej krijimit të rruzullit. Por tani u dëftua një herë të vetme – në mbarimin e kohës – për ta asgjësuar mëkatin me anën e flijimit të vetvetës.
Dhe, sikurse njerëzve u duhet një herë të vdesin – e pastaj vjen gjyqi – kështu edhe Krishti: u flijua vetëm një herë për të shlyer mëkatet e të gjithëve, kurse herën e dytë – jo më në lidhje me mëkate – do t’u duket atyre që e presin për të qenë shëlbuar.
Fjala e Zotit.


† Ungjilli Mk 12, 38-44

Edhe sot në mes nesh fshihen skribët që kërkojnë vendin e parë dhe të jenë të nderuar. Sa herë edhe të krishterët kanë ngrënë lekët e të varfërve me pretekstin për të ndërtuar një shtëpi lutjeje. Figura e vejushës që hedh ofertën e saj të mjerë në thesarin e tempullit, do të tregojë urdhërimin e dashurisë së Hyjit. Hyji sheh zemrën.


Leximi i Ungjillit shenjt sipas Markut

Në atë kohë, Jezusi i tha turmës: “Ruajuni prej skribëve, të cilëve u pëlqen të shëtisin në petka të gjata, t’i përshëndesin tjerët në sheshe, të zënë selitë e para në sinagoga e kryet e vendit në gosti. Ata i përlajnë shtëpitë e vejushave, e këndej kinse thonë uratë të gjata! Këta do të gjykohen veçanërisht rreptë!” Pastaj u ul kundruall arkës e vërente si populli qitte para në arkë. Shumë pasanikë qitnin shumë. Erdhi gjithashtu një vejushë skamnore. Ajo qiti dy lepta, domethënë një të katërt të asit.
Atëherë Jezusi i grishi nxënësit e vet dhe u tha: “Për të vërtetë po ju them: kjo vejushë skamnore qiti më shumë se të gjithë të tjerët që qitën para në arkë. Sepse të gjithë qitën prej tepricës, kurse kjo prej skamjes së vet qiti gjithçka pati: gjithë sa pati për jetesën e vet.”
Fjala e Zotit.

Liturgjia e sotme na fton të reflektojmë mbi domethënien e dhuratës: në qendër të leximeve është figura e vejushës, që është simboli i atij që është i dobët dhe pa mbështetje. Një grua vejushë ishte viktimë e kryelartësisë së më të fortit dhe keqbërësit. Është pikërisht kjo figurë që bëhet simboli i atij që di të dhurojë me të vërtetë, sepse nuk dhuron atë që ka, por atë që është në vetvete.
Një grua shumë e varfër, në ungjill, hedh në kutinë e ofertave dy qindarka, të gjitha ato që ka. Megjithëse ishin krejt të pavlera, për gruan ishin gjithçka për atë ditë. I ofron Hyjit jo vetëm para, por vetë jetën e saj. Nuk jep tepricat, por atë që ishte e domosdoshme për të. I varfër nuk është ai që nuk ka asgjë, por ai që në dobësinë e tij bashkëndan me të tjerët atë që është dhe atë që ka.
I pasur nuk është ai që zotëron të mira materiale, por ai që beson në këto të mira dhe ndihet i vetëmjaftueshëm; Vejusha ka guximin të dhurojë gjithçka, sepse e di se në Kë beson. Besimi i saj ka një forcë absolute: duke iu dorëzuar Zotit është e sigurtë për mëshirën e tij. Ajo dhuron një zemër të pastër.
Ajo ofertë materialisht e pavlerë është shpirtërisht themelore. Dhe me dinjitet përballon shikimet e njerëzve që e gjykojnë. Gjitha-shtu vejusha nuk u tregon të gjithëve të mirën që bën, sepse për të nuk është e rëndësishme aprovimi i njerëzve, por dashuria që ndjen brenda vetes.
 
Lutu me Ungjillin

O Zot,
bëj që të kuptojmë
që bamirësia kërkon
sakrificë dhe jo hipokrizi.


Çliroje zemrën tonë nga çdo interes
në kryerjen e së mirës
dhe na mëso të dhurojmë vetveten
me dashuri bujare dhe të lirë
dhe tu ofrojmë shërbimin tonë
vëllezërve për lavdinë tënde.


Bëj që dëshmia jonë
të mos jetë vetëm një shfaqje e jashtme,
por një shenjë e vërtetë dhe konkrete
e dashurisë sonë drejt të afërmit.







All the contents on this site are copyrighted ©.