2009-11-06 18:22:14

Juristi Kardia: vendimi i Gjykatës së Strasburgut për Kryqin, flet për mosnjohjen e historisë sonë e për nevojën e laicitetit gjithëpërfshirës.


(06.11.2009 RV)RealAudioMP3 “Një vendim me orientim të qartë ideologjik”: kardinali Anxhelo Banjasko e quan kështu vendimin e Gjykatës së Strasburgut, që kërkon heqjen e Kryqeve nga klasat e shkollave. Kryetari i Konferencës ipeshkvnore italiane shpreh, në faqet e gazetës ‘Avvenire’, habinë, e njëkohësisht edhe pakënaqësinë. Ky vendim - pohon Hirësia e Tij – shpërfill të vërtetën historike të Italisë e të Evropës, thellësisht e frymëzuar nga Ungjilli”.
Nga ana tjetër, vendimi i Gjykatës është i paligjshëm dhe në planin juridik. Këtë e nënvizon edhe profesor Karlo Kardia, pedagog i së Drejtës kishtare në Universitetin e Romës, në mikrofonin e Radio Vatikanit:

Përgjigje: - Kemi të bëjmë me një problem kompetence, sepse Gjykata e Strasburgut i kundërvihet drejtësisë së vet. Në disa ndërhyrje të mëparshme, Gjykata shprehej se nuk mund të hynte në çështje, që kanë të bëjnë me faktorin fetar, përveçse në raste krejt të veçanta, sepse kjo është plotësisht në kompetencë të shteteve të ndryshme. Nga ana tjetër, po të shfletojmë të gjitha traktatet e Bashkimit Evropian e të Këshillit të Evropës, do të vërejmë që nuk është shkruar kurrë se kjo kompetencë është e Gjykatës së Strasburgut.

Pyetje: - Një aspekt më shumë i dhimbshëm, sesa absurd ky, sipas të cilit Kryqi është simbol i një pjese, e prandaj përçan e kufizon lirinë e edukimit...

Përgjigje: - Ky është aspekt tejet i dhimbshëm, por edhe gabim i rëndë për një gjyqtar. Një gjykatës evropian, i cili e shikon Kryqin si element, që i përket vetëm një pjese, është në kundërshtim me të vërtetën, me njohjen fillestare të historisë. E pikërisht këtu shohim profilin ideologjik, sepse kushdo që e shikon Kryqin, pavarësisht nga feja së cilës i përket – në mbarë botën, e jo vetëm në Evropë - nuk mund të mendojë se është simbol përçarës. Siç nuk mendojmë as ne, kur shikojmë, për shembull, figurën e Budës së mëshirshëm. Ky, parë në këndvështrimin kulturor, është aspekti më negativ i vendimit. Është një gjë, që gjykatësi evropian nuk mund e nuk duhet ta bëjë, sepse vërteton mosnjohjen e plotë të historisë e të realitetit të ditëve tona.

Pyetje: - Thoshte Çesterton: “Kur njerëzit nuk e besojnë më Zotin, mund të besojnë në gjithçka”. Na duket se ekziston një projekt, që synon t’i zhdukë simbolet fetare, që i shërben harresës, humbjes së kujtesës...

Përgjigje: - Mendoj një gjë: ky vendim do të kishte qenë i përsosur dy shekuj më parë, kur patëm një vetero-iluminizëm, i cili donte t’i shlyente kudo simbolet e fesë. Më pas, si t’i kishte zhdukur të gjitha, Robespieri duhet të shpikte ’perëndeshën Arsye’, për të thënë, siç edhe thoshte ai vetë, se njerëzit besojnë në gjithçka. Prandaj mund të pohojmë se kemi të bëjmë me një vendim të vjetruar, që i përket një epoke në të cilën Kisha ishte në kundërshtim të hapur me Shtetin. Por në situatën e sotme laiciteti i përfshin të gjithë, nuk përjashton askënd.

Pyetje: - Duket se, në shumë mjedise evropiane, ka prirje për ta kufizuar elementin fetar në jetën private. E kjo as që mund të mendohet në SHBA, që gjithashtu janë një realitet demokratik, pluralist...
 
Përgjigje: - Ky është mëkati i zanafillës për Evropën, e cila përdor fjalën ‘separatizmi amerikan’, si të ishte i njëllojtë me mënyrën si e kuptojmë ne. Në SHBA fetë janë jashtëzakonisht të pranishme në jetën publike, politike e shoqërore; e pra, askush nuk ankohet për këtë. E kjo, natyrisht e hap diskutimin. Një diskutim, që na shtyn ta theksojmë takimin ndërmjet njerëzve, e jo të heshtim, të shlyejmë identitetin e secilit nga ne. Mjafton të mendojmë se Italia ka një histori kompakte, që lind nga epoka romake e nga krishterimi. Prandaj mund të themi se simboli fetar përfshin gjithë identitetin tonë. Në SHBA as që mund të mendohet një gjë e tillë. Askujt nuk do t’i shkonte në mendje, sepse të gjithë janë të lirë t’i mbajnë e t’i nderojnë simbolet e tyre fetare e, prej këndej, edhe të dialogojnë lirisht.







All the contents on this site are copyrighted ©.