2009-11-06 18:21:40

Atmosfera e pritjes së Papës në Bresha e Konçesio, në gjurmët e Palit VI e të Shën Arkanxhelo Tadinit.


(06.11.2009 Në gjurmët e të dashurit Pali VI, të dielën e ardhshme Papa do të jetë për vizitë baritore në Bresha e në Konçesio, vende ku lindi e ku u formua Gjovani Batista Montini.
Etapa e parë e shtegtimit do të jetë një ndalesë në Shenjtëroren e Botiçino Sera, komune e Valeverdes, ku ruhet urna me reliket e Shën Arkanxhelo Tadinit.
Tashmë rrugët kanë marrë kudo pamje festive, me flamurë e banderola bardh e verdh, ngjyrat e Vatikanit. Në këtë atmosferë, spikasin manifestet e Tadinit e të Papës, i cili shkon të nderojë meshtarin, që u shpall shenjt në prill e që, nga fundi i tetëqindës, në frymën e Rerum Novarum, ia kushtoi veprimtarinë baritore mbrojtjes e ungjillëzimit të vendeve të punës dhe të familjes.
Kujtojmë se të dielën paradite Papa do të kremtojë Meshën e do të thotë lutjen e Engjëllit të Tënzot në tremen e Katedrales së Breshës, në sheshin Pali VI.
Pasdite, pas vizitës në qendrën baritore Pali VI, gjithnjë në Bresha, do të vizitojë shtëpinë ku lindi Papa Montini dhe Institutin e ri Pali VI në Konçesio. Instituti do të përurohet pikërisht nga Ati i Shenjtë. Veprimtaria e fundit e ditës do të jetë vizita në famullinë e Shna’ Ndout në Konçesio, ku është pagëzuar Gjon Batista Montini.







All the contents on this site are copyrighted ©.