2009-11-05 14:36:21

Vendimi i gjykatës së Strasburgut mbi përjashtimin e Kryqit nga klasat shkollore: ndërhyrja e kardinalit Re


(05.11.2009 RV)Vazhdon diskutimi që është shkaktuar nga vendimi i Gjykatës Evropiane në Strasburg për të drejtat e njeriut, që ndalon ekspozimin e Kryqit e këndej e përjashton në shkollat italiane. Komisioni i Brukselit nuk e ka komentuar vendimin e gjykatës së lartë, duke ia lënë çështjen ekskluvizisht kompetencave të Shteteve të veçanta.
Ndërsa, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Tarçizio Bertone, duke kritikuar sjelljen dhe vendimin e gjyqtarëve të Strasburgut, ka shprehur zhgënjimin e tij “në një Evropë që “na le vetëm kungujt e festave” si Halloween, ndërsa i heq simbolet më të dashura” që kemi.
Sekretari i Shtetit të Vatikanit vlerësoi qëndrimin dhe vendimin e qeverisë italiane e cila është shprehur kundër këtij gjykimi dhe ka vendosur të kërkojë anulimin e vendimit të gjykatës së Strasburgut.
Heqja e Kryqit është vendim i “papranueshëm” për italianët, është vendim që bënë të “dyshosh në gjykimin e drejtë e të shëndoshë të Evropës”, tha kryeministri i Italisë Silvio Berluskoni duke hedh poshtë vendimin e Gjykatës së Strasburgut lidhur me Kryqin në shkolla. Po të dëgjojmë mendimin e kardinalit Gjovan Baptista Re, Prefekt i Kongregatës së Vatikanit për Ipeshkvijtë.....RealAudioMP3
Pyetje: - Hirësi, si e pritët vendimin e Gjykatës evropiane të Strasburgut?

Përgjigje: - E prita këtë vendim të Gjykatës së Strasburgut me dhimbje e me habi. Me dhimbje, sepse është fyerje, që i bëhet simbolit të stërshumicës së evropianëve: katolikë, ortodoksë, luteranë, anglikanë, kalvinistë... Veçantia e krishterimit, madje, do të thosha, origjinaliteti i krishterimit, bazohet pikërisht mbi Kryqin. E prita edhe me habi, sepse Kryqi është simbol vlerash, që janë në themel të identitetit evropian. Krishtërimi e bashkoi Evropën: ky vendim, për fat të mirë jo përfundimtar, është shenjë se po shkohet në drejtim të kundërt nga ai që duhet, sepse nuk favorizon bashkimin ndërmjet evropianëve, por përkundrazi, copëzimin e tyre.

Pyetje: - Ç’na komunikon vizioni i Kryqit?

Përgjigje: - Kryqi është shenjë e një Zoti, që e do njeriun deri në fund të fundit, aq sa të japë edhe jetën për të. Është një Zot, i cili edukon me dashuri, me vëmendje për njeriun, posaçërisht për atë, që është më i ligësht e më i pambrojtur. Edukon me respekt për të tjerët, edhe për ata, që i përkasin kulturave e feve të tjera.

Pyetje: - A mund të çuditen ata, që nuk janë të krishterë, për vizionin e Kryqit?

Përgjigje: - Lidhur me këtë, unë pyes veten: të jenë kaq të dëmshme për ata që i përkasin feve të tjera, por jetojnë në Evropë e ndjekin shkollat e vendit, pamja dhe simboli i krishterimit e njohja, sadopak, e fesë që dha ndihmesën më të madhe për të farkëtuar Evropën? Është, thua, e panevojshme të njohin traditat popullore e shumë e shumë manifestime kulturore, të frymëzuara nga krishterimi? Kryqi është edhe simbol i kulturës sonë e emblemë, mbi të cilën ngrihet qytetërimi evropian.

Pyetje: - E përsa i përket laicitetit të shtetit?

Përgjigje: - Mbrojtësit e vërtetë të laicitetit nuk duhet të harrojnë se autori i mesazhit të parë të laicitetit, ka qenë pikërisht Zoti ynë, Jezu Krishti, kur tha: “Jepini Cesarit ate që është Cesarit e Zotit, atë që është e Zotit! Nuk duhet harruar, pastaj, fakti se laiciteti i shëndetshëm përfshin edhe respektimin e thellë të ndërgjegjes të të gjithëve e të secilit e se mbrojtësi kryesor i ndërgjegjes njerëzore, është pikërisht Zoti ynë, Jezu Krishti, i kryqëzuar e i ngjallur për mbarë njerëzimin. Prandaj, mbrojtësit e vërtetë të laicitetit, do të duhej ta mbronin Kryqin!







All the contents on this site are copyrighted ©.