2009-11-05 16:04:32

Paraqitet në Vatikan, takimi i Papës me artistët në Kapelën Sikstina, më 21 nëntor.


(05.11.2009 RV)45 vjet pas fjalimit të famshëm të Papës Pali VI para artistëve në Kapelën Sikstina e 10 vjet pas Letrës së prillit 1999 drejtuar artistëve nga Papa Gjon Pali II, Ati i Shenjtë Benedikti XVI do të zhvillojë një takim të ngjashëm më 21 nëntor, po në Kapelën Sikstina në Vatikan. Do të jenë të pranishëm mëse 260 eksponentë ndërkombëtarë të çdo fushe të artit. Ngjarja u paraqit sot paradite në Sallën e Shtypit të Vatikanit nga kryetari i Këshillit Papnor për Kulturën, imzot Xhanfranko Ravazi dhe nga drejtori i Muzeve të Vatikanit, prof. Antonio Paoluçi.
Qëllimi është të rilidhen fijet e këputura ndërmjet Kishës dhe artit, për një bashkëpunim, që dikur i ka dhënë botës kryevepra të pamohueshme e të papërsëritshme. Të dëgjojmë imzot Ravazin:
“Ky (arti), në fakt, edhe përtej shprehjeve të tij tipike fetare, kur është i vërtetë, është i lidhur ngushtë me botën e fesë, prandaj, edhe në kushtet e largimit maksimal nga kultura e Kishës, pikërisht arti vazhdon të ndërtojë një lloj ure drejt përvojës fetare. Duke qenë kërkim i së bukurës, fryt i një imagjinate që e kapërcen jetën e përditshme, arti, për natyrën e vet, është një lloj thirrje drejtuar Misterit. Edhe kur hulumton thellësitë më të errta të shpirtit, ose aspektet më shkatërruese të së keqes, artisti bëhet, në një farë mënyre, zë i pritjes universale të shëlbimit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.