Me 4 nëntor kalendari kishtar përkujton Shën Karl Borromeun, ipeshkëv
(04.11.2009 RV)Kisha sot me 4 nëntor kremton përkujtimin e Shën Karl Borromeut.
Ipeshkëv i Milanos në shekullin XVI u krijua kardinal vetëm 22 vjeç, ai është i bariut
shpirtëror të kujdesshëm ndaj nevojave të Kishës e të besimtarëve, posaçërisht të
të varfërve. Pra faqja e sotme e kalendarit Kishtar shënon emrin e njërit nga ipeshkvijtë
më të mëdhenj në historinë e Kishës: atë të Karl Borromeut, njeriut që ishte i madh
në dashuri, i madh në doktrinë, i madh në apostullim, por sidomos, i madh në përshpirtëri
e devocion. Zëri i tij na flet e na kujton se “Shpirtrat fitohen në gjunjë!”.
Fitohen me lutje, me lutje të përvujtë. E Karl Borromeu mund të konsiderohet një nga
pushtuesit më të mëdhenj të shpirtrave që njeh historia e Kishës. Bir i
Gjilbert Borromeut e i Margeritës së Mediçëve, pronarë të mëdhenj tokash rreth Liqenit
të Madh, nip i vetë Papës Piu IV, Karl Borromeu, i lindur më 1538 - do të kishte mundur
të gëzonte fatin e bijve të dytëlindur në shtëpitë e pasura: të bëhej ushtarak ose
të ndiqte karrierën kishtare, me kamje e të ardhura jetike. Gjithsesi kjo nuk do të
ndodhte, sepse Karli do t'i dhuronte meshtarisë jo vetëm korpin, por edhe gjithë shpirtin
e fenë e vet të pakufishme. I emëruar që në moshën 12 vjeçare komendatar, që
përfitonte të ardhurat e Komendës së Abacisë të Aronës, prej 2. 000 skudash, qe thirrur
më pas në Romë nga i ungji që e zgjodhi Protonoter Apostolik dhe e krijoi kardinal
në moshën 22 vjeçare, ndonëse nuk ishte shuguruar ende meshtar. Pak më vonë do të
emërohej Sekretar i Shtetit të Shenjtërisë së tij. Ndërsa pas vdekjes së xhaxhait,
më 1565, si refuzoi zgjedhjen në fronin e papnisë, u kthye në Milano, ku zhvilloi
një veprimtari të jashtëzakonshme, i rrethuar nga njerëz të aftë e shembullorë.
Gjatë episkopatit të tij, Milano u bë shembull për të gjitha qytetet tjera italiane.
Nga Roma, shenjtorët e reformës katolike shikonin me admirim e ngushëllim Karl Borromeun,
model për të gjithë ipeshkvijtë, që e shkriu deri në fund jetën për Kishën. Por gjithë
kjo veprimtari ia shkatërroi shëndetin. Ndonëse i sëmurë rëndë, vijoi vizitat e tij
baritore, pa ngrënë, pa fjetur, duke u lutur e duke dhënë mësim. E ndoqi deri në frymën
e fundit veprimtarinë e të gjitha veprave, që kishte themeluar. Më 3 nëntor 1584 ipeshkvi
titan i Milanos, u shemb nën peshën e lodhjes e të sëmundjes. Ishte vetëm 46 vjeç.