Kisha kujtoi Shën Karl Borromeun, bari i madh, simbol i dashurisë së krishterë
(04.11.2009 RV)Kisha kremtoi sot festën e Shën Karl Borromeut. Ipeshkëv i Milanos,
që jetoi në shekullin XVI e u krijua kardinal vetëm 22 vjeç, është shembull i bariut
të vëmendshëm ndaj nevojave të Kishës e të besimtarëve. Figurën e tij e kujtoi sot
pasdite, në Milano, kardinali Dionigji Tetamanxi, duke kryesuar, në katedrale, një
kremtim të posaçëm eukaristik. Kujtojmë se Shën Karl Borromeu është bashkëpajtor i
dioqezës së Milanos, me Shën Ambrozin; është edhe pajtor i skalabrinianëve, për shkak
të dashurisë së krishterë e të zellit, që e karakterizuan misionin e tij, duke e bërë
apostull të vërtetë të Krishtit. Për figurën e Shenjtit, na flet Atë Livio Stela,
vikar i përgjithshëm i misionarëve të Shën Karlit, të njohur me emrin skalabrinianë:
Përgjigje:
- Në zemrën e tij ishte vërtetë e gjallë dashuria për Zotin, gjë që dukej
qartë në jetën e tij asketike, në lutjen, në praktikimin e virtyteve të krishtera,
në rrezatimin e dashurisë së Zotit mbi të gjithë ata, që i afroheshin, në përdorimin
e pasurisë personale për të ndihmuar të varfërit, nevojtarët, të sëmurët. Biografët
e tij e kanë vënë në dukje, me admirim të thellë, kujdesin që tregoi në kohën e murtajës,
për të prekurit nga kjo sëmundje e tmerrshme, vdekjeprurëse. I qëndroi vetë tek koka
atyre që jepnin shpirt, pa menduar fare se mund të përlyhej edhe ai nga murtaja. Prandaj,
kur u shpall shenjt, në vitin 1610, Papa Pali VI e quajti ‘Atë i të varfërve’. I Lumi
Skalabrini pa në të dëshminë e shenjtërisë e të dashurisë së krishterë, tipike për
bariun e mirë, që jep jetën për delet e veta e samaritanin e mirë, që paguan me paratë
e veta e vë në lojë namin e vet të mirë, në shërbim të të afërmit.
Pyetje:
- A mund të na kujtoni ndonjë shprehje të Shenjtit, me vlerë për ditët tona?
Përgjigje:
- Një nga frazat më të bukura të Shën Karlit, është ajo që ua thoshte meshtarëve,
kur fliste me ta: “Prediko, para së gjithash, me jetën tënde e me shenjtërinë tënde,
për të mos ndodhur pastaj që, duke qenë sjellja jote në kundërshtim me predikimin
tënd, ta humbasësh fare çdo besim tek njerëzit”. Figura e Shën Karlit ishte vërtetë
një shtyllë për Kishën e kundër-reformës, sepse ai vuri në jetë Koncilin e Trentit
në dioqezën e vet, duke u bërë shembull për të gjithë ipeshkvijtë e dioqezave të tjera
italiane.
Pyetje: - Shembull i madh për ipeshkvijtë Shën Karl Borromeu;
po besimtarët, ç’ mësime mund të marrin nga jeta e tij?
Përgjigje: -
U bënte thirrje besimtarëve të tregonin vëmendje të dorës së parë për ato shenja,
të cilat janë shtyllat e fesë – për shembull, për Kryqin, për Eukaristinë. Është ai
që nisi, në dioqezën e vet, adhurimin e 40 orëve, që vendosi elterët në lagjet e
ndryshme, për t’i kujtuar popullit se feja duhet të jetohet kudo e kurdoherë, e jo
vetëm në disa çaste, kur shkojnë në Kishë, në Meshën e së dielës e në raste festash.
Feja duhet jetuar ditë për ditë, çast për çast. E po ai nisi, për herë të parë, t’u
binte këmbanave në agim, në mesditë e në muzg, për t’u kujtuar besimtarëve se ka një
Zot në jetën e secilit nga ne, që nuk mund ta harrojmë.
Pyetje: -
Si e shikoni ju, sklabriniantërt, figurën e Shën Karl Borromeut?
Përgjigje:
- Si shembull i një rruge personale feje, që na çon pranë vëllezërve e
motrave tona, për udhë nëpër botë, si mërgimtarë.