2009-11-03 10:44:20

Sot me 3 nëntor kujtojmë 118 –vjetorin e lindjes së priftit martir, poetit e prozatorit shqiptar Dom Ndre Zadejës.


(3.11.2009 RV)Sot me 3 nëntor kujtojmë 118 –vjetorin e ditëlindjes së priftit martir, poetit e prozatorit shqiptar Dom Ndre Zadejës.
Dom Ndre Zadeja, klerik, dramaturg, poet e prozator, lindi në Shkodër më 3 nëntor 1891. Tri klasët e para të fillores i kreu në një shkollë italiane. Nga klasa e katërt e më tej, studioi pranë Kolegjës Saveriane, drejtuar nga jezuitët. Studimet e larta i kreu në Insbruk të Austrisë më 1916. Po në këtë vit u shugurua prift. U kthye menjëherë në atdhe e pikërisht në vendlindje. Pati fatin ta çonte Meshën e parë në kishën e Zojës bri kështjellës Rozafa, ku nderohej e nderohet edhe sot, Zoja e Këshillit të Mirë, Pajtore e shqiptarëve. Ishte një ditë e bukur pranvere, 26 prill 1916.
Falë aftësive e kulturës së tij të gjërë, nisi shërbimin si sekretar i Imzot Serreqit dhe si zëvendës-famullitar, deri në vitin 1922. Në këtë vit u emërua famullitar i Malit të Jushit, prej nga vijoi shërbimin meshtark në Bogë, për të kaluar më pas në Shkrel e Sheldi. U arrestua në sa shërbente në këtë fshat më 4 shkurt 1945. U pushkatua pa gjyq më 25 mars 1945 njëherësh me disa seminaristë e laikë katolikë, me akuzën se kishte fshehur bashkëvëllaun, një nga figurat më të ndritura të Shkollës letrare të jezuitëve, Dom Lazër Shantojën, edhe ai në fazën dioqezane të beatifikimit.
Me 16 gusht të vitit 1944, ndërsa në fshatin Shirokë afër Shkodrës kremtohej festa e Shën Rrokut, gjatë procesionit tradicional në shtigjet e vlerta të malit Tarabosh, dom Ndré Zadeja, meshtar shembullor e predikatar në zë dhe largpamësë , i pati drejtuar popullit e sidomos rinisë këto fjalë profetike :
Dy fjalë i kam sot me ju, sidomos me jo o të rij. Një re e zezë ngarkue me ideologji të kuqe po dyndet mbi krenat tona. Ajo ka ndërmend të shprazet mbi ju, por atëherë s’keni për të pasë shka me i ba, veç me i bajtë e me sprovue të këqijat, se përveç të zezave të tjera që ka, ajo mohon edhe Zotin”.
E i pari që do t’i përjetonte të këqijat e dyndjes së resë së zezë me ideologji të kuqe, do të ishte pikërisht ai që i shqiptoi këto fjalë tre muaj para se të hynte komunizmit në Shqipëri e shtatë muaj para se të pushkatohej pas murit të varrezave katolike, me 25 mars 1945.
E vërtetë atë 25 mars të vitit 1945 Shkodra e tmerruar asistonte pushkatimin e parë të një kleriku katolik, të cilin e kishte njohur e dashur me gjithë shpirt për shërbimin e tij meshtarak, për atdhetarinë e tij e për talentin e shquar që gjeti shprehjen e vet në melodramat e para të letërsisë shqipe "Ora e Shqypnisë", "Hijet e zeza"; "Rrethimi i Shkodrës", "Rozafa" etj, të cilat u vunë në skenën e teatrit të jezuitëve në Shkodër e më vonë edhe në teatrin e Tiranës e vijuan të lexoheshin, edhe kur nuk mund të viheshin më në skenë, sepse të ndaluara nga regjimi komunist.
Në rrugët e rrugicat e shtrembëra të Shkodrës, njëkohësisht me breshërinë e mitrolozave të diktaturës komuniste, që këputnin një nga lulet më të bukura të letrave shqipe, për ta dëmtuar e mundësisht zhdukur traditën katolike, u ndje zëri i lebetitur: "Kanë grî Dom Ndrenë!".
Dom Ndreu, qe martiri që lau me gjak një tokë të martirizuar: atë të Shkodrës e të Shqipërisë! Qe martiri i parë i furisë komuniste mbi Kishën katolike në Shqipëri; urojmë të jetë ndër të parët të Lum, që do të ngjiten në nderimet e elterit. E ndërsa vijon polemika për disidencën, figura madhore e Don Ndreut, Meshtarit, Poetit e Atdhetarit që i tha "jo" diktaturës komuniste, na kujton se disidentët e vërtetë, të cilët nuk munguan, iu kundërvunë pa asnjë kompromis, regjimit gjakatar të Enver Hoxhës deri në vdekje, për të merituar nderimin më të lartë: atë të lartimit në elter!

Ja disa dëshmi për martirizimin e Dom Ndre Zadęjës.
Dëshmi nga Gjergj Laca:
Gjergj Laca, seminarist në Seminarin Papnuer, kujton tekstin e këngës shkruar nga martiri Mark Çuni, shok i seminarit, në kujtim të Dom Ndre Zadęjës, të nesërmen e pushkatimit, këngë që nuk u këndua kurrë, sepse retë e zeza, sollën stuhi edhe më të zeza…
Ja një fragment i këngës së pakënduar 1:
… O Dom Ndre Zadęj’ gojtari,
I ambli poet –shkrimtari,
Ti i miri ynë meshtari
U bâne martir i pari!
 
Dëshmi nga Imzot Frano Illia:
… Vetëm kur permendej emni i tij gjatë vjetëve të territ të thellë, ne, shqiptarve qi e njoftem, na dridhej buza, na pikonte zemra gjak e sytë na lotojshin per ket njeri të sa mirësive, për ket figurë të shqueme të punës, pastertisë e dijes. I vramë në Shkoder mbas mureve të varrezave të Rrëmajit, u gjet i shtrimë përdhé, i mbytun në gjak e në baltë. Ishte e Diella e Larit. U pushkatue, kur besimtarët pregatiteshin me fillue Javen e Madhe, Javen e Mundimevee të Krishtit e të katolikëve shqiptarë, që e ndoqen me kryq në krah!
 
Dëshmi nga Atë Zef Pllumi:… Erdh lajmi se e kishin zanë Dom Lazër Shantojen, të strehuem te Dom Ndre Zadęja në Sheldi. Dom Ndre Zadęjen e pushkatuen vetem pse kishte strehue në qelë të vet famullitare të Sheldisë kolegun e vet. Të dy ishin shkrimtarë të klerit katolik, Dom Ndre Zadęja kishte studiue në Austri. Qe bâ shumë i dashtun për rininë shkodrane, prej dramave të shkrueme me subjekt nga legjendat e historia kombtare.
 
Vargje nga melodrama “Ruba e Kuqe” e dom Ndre Zadęjës:

"Kurse rashë dëshmor për dhé,
Nuk kam dekë un, por kam lé.
Pse per ty u bâna fli
O e bukura Shqypní!".

1
Marrë nga Libri “Tragjedia edhe lavdia e klerit katolik në Shqipëri”, dëshmi të mbledhura nga Dr. Pjetër Pepa, fq. 390-391







All the contents on this site are copyrighted ©.