Sot me 3 nëntor kalendari Kishtar përkujton Shën Martinin de Porres, rregulltar domenikan
i Perus.
(03.11.2009 RV)Kishte dëshirë të madhe t’i përkushtohej krejtësisht Zotit e
të afërmit, e kështu veshi zhgunin e Etërve Domenikanëve pranë Kuvendit të Rruzares
Shenjte në Lima. Duke e konsideruar veten të padenjë për një dhuratë kaq të madhe,
jetoi me përvujtëri e thjeshtësi jetën rregulltare duke iu kushtuar lutjes e duke
u vënë në shërbim të nevojtarëve, posaçërisht të të sëmurve, të gjitha aftësitë e
tija që kishte si njeri e si infermier. Martini edhe pse i varfër, i nëpërkëmbur,
punoi në mjekimin e plagëve trupore të të varfërve dhe në shërbimin e atyre morale
e kështu dhe një ndihmës të madhe në luftimin e mjerimit moral e material që kishte
qyteti i Limës. Ai u kujdes edhe për edukimin e fëmijëve duke ndërtuar për ta shkolla
e kolegje. Bir natyror i një kalorësi spanjoll dhe i një skllaveje zezake,
Martini i Porres do të bëhej këshilltar i zëvendës-mbretit të Spanjës, të cilin e
linte të priste mbrapa portës, në se ishte duke mjekuar ndonjë të varfër. Ky është,
i pikturuar me dy penelata, portreti i shenjtit-simbol të Amerikës Jugore, i cili
diti të kapërcejë kufizimet e epokës e të jepte mësimin e çmuar se të gjithë njerëzit
janë vëllezër e se ngjyrat e ndryshme të lëkurës ose ndryshimet e etnisë, janë pasuri
e madhe e jo shprehje papërsosurie. I lindur nga Anna Velasquez më 1579 në
Shën Sebastian të Limës, në Perů, Martini, hyri në Urdhrin e Domenikanëve, të cilët
kishin themeluar në Limë kuvendin e parë peruvian. Në fillim pranohet si terciar e
kryen detyra shumë të përvujta, por më pas dominikanët ia njohin vlerat. Ai ishte
mistik, i pajisur me karizma të jashtëzakonshme si dijen, mistiken, profecitë, aftësinë
për të komunikuar me të varfër e të gjitha shtresat shoqërore e madje edhe me kafshët
(të cilat instinktivisht i drejtoheshin atij për t'u mjekuar plagët e sëmundjet).
Ndonëse nuk u largua kurrë nga Lima, u pa në Afrikë, në Japoni e në Kinë, ku ngushëlloi
misionarët që kalonin kohë të vështira. Vdiq nga tifoja më 3 nëntor 1639 në moshën
gjashtëdhjetë vjeçare. I shpallur shenjt nga Gjoni XXIII, sot njihet si pajtor
i berberëve e i parrukierëve.