2009-11-03 15:46:22

Për muajin e nëntorit, Papa u kërkon besimtarëve të çdo feje të dialogojnë për të dëshmuar se emri i Zotit është bartës i paqes


(03.11.2009 RV)“Që besimtarët e feve të ndryshme, me dëshminë e jetës e përmes dialogut vëllazëror, të tregojnë qartë se emri i Zotit është bartës i paqes”: ky është ndjeti i lutjes misionare të Benediktit XVI për muajin e nëntorit. Papa u kërkon, pra, besimtarëve të impenjohen për të kapërcyer kontradiktat e keqkuptimet, për të mirën e përbashkët. Të dëgjojmë komentin e drejtorit të Qendrës misionare Pime të Milanos, atë Xhan Paolo Gualxeti:
Në Bangladesh, ku kam qenë për 15 vjet, ka njerëz që kanë dëshirë të njihen. Aty lindi edhe përvoja e bukur e një profesori mysliman, Kazi Nurul Islam, i cili e sheh tek injoranca problemin e ndeshjeve ndërmjet të krishterëve e myslimanëve, ndërmjet myslimanëve dhe hinduistëve. Ai është bërë edhe promovuesi i diçkaje të jashtëzakonshme për Bangladeshin: hapjen e një Departamenti për fetë e botës në Universitetin shtetëror. Pra, deshi që të gjithë banorët e Bangladeshit të kenë mundësi për të studiuar fetë e ndryshme.
Emri i Zotit është bartës i paqes. Edhe një herë, Benedikti XVI nënvizon shkandullin e papranueshëm të luftës e dhunës në emër të Zotit…
Mendoj se ky është vërtet shkandull: njerëz të fesë, që në emër të Zotit bëjnë luftë. Unë kam jetuar në Bangladesh pikërisht në periudhën kur Gjon Pali II tha qartë se “Këto luftra nuk i ka dashur Zoti”. Shumë myslimanë e kuptuan mirë këtë mesazh. Këto muaj po çojmë gjithandej një ekspozitë që titullohet “Të drejtët e Islamit”, në të cilën pohohet se “ai që shpëton edhe një njeri të vetëm, do të konsiderohet si një person që ka shpëtuar njerëzimin mbarë”. Është një mënyrë për të treguar historitë e disa myslimanëve, që kanë shpëtuar hebrenj duke rrezikuar edhe jetën.
Kjo është përgjigjia edhe për persekutimet kundër të krishterëve?
Mua më duket se gjëja më e bukur është përgjigjia e të krishterëve, që nuk është hakmarrja, por falja. Mendoj se kjo është dëshmia më e madhe që një njeri i fesë mund të japë për atë paqe, të cilën Zoti e dëshiron edhe këtu në Tokë, e jo vetëm në Qiell.







All the contents on this site are copyrighted ©.