2009-11-02 11:46:25

Shtegtim feje ndër varreza


Po shkoj sot ndër varre, Jezus,
s’është vend i këndshëm, e di,
më rrënqeth ky vend i heshtur,
ky vend ku ka veç zi.

E zëri i tmerrshëm i vdekjes
frymon këtu nga çdo plasë,
pëshpërit nga çdo gëmushë,
nga çdo kurorë e çdo rrasë.

Po shkoj për njerëzit që më deshën,
që ishin, por që shkuan,
po shkoj t’u shpreh mirënjohjen
për gjithçka më dhuruan.

Mirënjohje për kë më dha jetën,
për kë më dha bujarinë,
mirënjohje për kë më fali fenë,
për kë m’ dha për ditë dashurinë.

Një krah më dha, ku u mbështeta,
një fjalë të urtë, ku udhën rigjeta,
më mësoi Lajmin e mirë,
ku gjeta shpresë e hir.

Po shkoj t’u pëshpëris shpresën time.
Po shkoj t’u përsëris se besoj,
në atë jetë mbi të cilën vdekja
askurrë nuk triumfoi.

Se nuk është sëmundja, as morti
që fjalën e fundit e thonë.
Jo unë nuk mund të besoj
se i humba përgjithmonë.

Po shkoj t’u çoj një lule
simbol bukurie që duhet.
Po shkoj të ndez një qiri
simbol i zjarrit që s’ shuhet.

Po shkoj të prek një fytyrë
mes kryqave pa fund,
po shkoj të të takoj Ty,
Jezus që vdekjen mund.







All the contents on this site are copyrighted ©.