Përkujtimi i besimtarëve të vdekur. Papa: ta shikojmë qetësisht misterin e vdekjes,
të ndriçuar nga besimi në ringjalljen.
(02.11.2009 RV)Mbarë Kisha i përkujtoi
sot me lutje, besimtarët e vdekur. Pasdite Benedikti XVI shkoi në Kriptën Vatikanit,
ku u gjunjëzua pranë varreve të paraardhësve, duke u lutur që Zoti t’u japë pushimin
e pasosur e dritën e pambaruar.
E në këtë ditë, kur kujtojmë të dashurit tanë,
që nuk janë më mes nesh, na ngushëllon zëri i Papës i cili, me fjalët e Shën Palit,
na fton të mos kemi frikë nga vdekja e trupit sepse, si vdiqëm, si jetuam, jemi gjithnjë
me Zotin: “Shën Pali Apostull, duke u shkruar bashkësive të para të
krishtera, i nxiste besimtarët të mos trishtohen, si të tjerët, që nuk kanë kurrfarë
shprese. Po të besojmë se Jezusi vdiq e u ngjall – shkruante – ashtu edhe Zoti, përmes
Jezusit, do t’i mbledhë të gjithë ata që vdiqën”(1 Sel 4, 13-14).
Edhe sot është e nevojshme të ungjillëzohet realiteti i vdekjes e i jetës së pasosur,
që shpesh herë u nënshtrohet besëtytnive e sinkretizmave; sepse e vërteta e krishterë
nuk duhet të vihet në rrezik, duke u ngatërruar me mitologji të natyrave të ndryshme”
(Lutja e Engjëllit të Tënzot e 2 nëntorit 2008). Por njeriu modern
– nënvizon Benedikti XVI - shumë shpesh mundohet të harrojë se do të vdesë një ditë,
duke jetuar sikur Zoti të mos ekzistonte: “Njeriu modern e pret përsëri
këtë jetë të pasosur, apo mendon se ajo i përket mitologjisë, së cilës nuk i beson
më askush? Në kohën tonë, më shumë se në të kaluarën, njerëzit merren aq shumë me
gjërat tokësore, sa nganjëherë harrojnë se Zoti është protagonist i historisë e edhe
i jetës sonë. Por jeta njerëzore, për vetë natyrën e saj, priret nga një cak shumë
më i lartë, i cili qëndron mbi këtë natyrë: e pamposhtur është etja e njeriut për
drejtësi, për liri, për lumturi të plotë (Audienca e përgjithshme e 2 nëntorit
2005). E pra Zoti vijon të ekzistojë, edhe kur nuk i besojmë: e me të, edhe
jeta e përtejme. Prandaj Kisha na fton t’i përkujtojmë besimtarët e vdekur me meshë,
lutje, lëmoshë e ndjesë, në mënyrë që plotësisht të pastruar, të pranohen në jetën
e amshuar. Por ç’ është kjo jetë e amshuar? “Jeta e amshuar, për ne të krishterët,
nuk është thjesht një jetë pa fund, por sidomos, një cilësi e re e jetës, shkrirë
plotësisht në dashurinë e Zotit, që na çliron nga e keqja e nga vdekja e na bashkon
pa fund me të gjithë vëllezërit e motrat, të cilët marrin pjesë në të njëjtën Dashuri”
(Lutja e Engjëllit të Tënzot e 1 nëntorit 2006). Para enigmës së vdekjes, shumkush
dëshiron e shpreson t’i gjejë përsëri të dashurit e vet në jetën e përtejme. E duke
folur për kujtimin e të vdekurve, Benedikti XVI e quan vdekjen paralajmërim për jetën
e pasosur, duke na ftuar të mos harrojmë se Zoti-dashuri e flijoi jetën pikërisht
për ne. Prandaj nuk na braktis kurrë, sepse na do pafund: “U ngjalla e tani
jam gjithnjë me ty – na thotë Zoti – e dora ime të mban. Kudo që të rrëzohesh, do
të biesh në duart e mia e do të jem i pranishëm edhe në portën e vdekjes. Atje ku
nuk mund të të shoqërojë më askush e ku ti nuk mund të marrësh me vete asgjë, atje
do të të pres, që ta shndërroj, për ty, errësirën në dritë” (Lutja e Engjëllit
të Tënzot e 2 nëntorit 2008).
Përkujtimi i të vdekurve
lidhet me një nismë të Shën Odilonit, abat i Klyni, në shekullin X. Asokohe nga kjo
abaci vareshin një mijë manastire benediktine, e kjo ndihmoi që nisma të përhapej
shumë shpejt në të katër anët e Evropës veriore. Më pas, në vitin 1311, Roma e shpalli
përkujtimin e të vdekurve, festë zyrtare. Por, pavarësisht nga kjo, Kisha, që
në kohët e para të krishterimit, i ka kujtuar gjithnjë të vdekurit me përshpirtëri
të thellë, me meshë e me vepra bamirësie.