2009-11-02 17:45:04

Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot: Shenjtorët na ftojnë ta ndjekim Jezusin me gëzim e pa ndërlikime. Ta jetojmë me frymë të krishterë përkujtimin e të vdekurve.


(02.11.2009 RV)Solemniteti i të Gjithë Shenjtorëve na fton t’i ndjekim me gëzim gjurmët e Jezusit, pa ndërlikime e pa mediokritete, duke ecur me përvujtëri në udhën e përsosjes së dashurisë e duke përjashtuar çdo gjë, që nuk është e denjë për jetën tonë si të krishterë: këtë theksoi dje, në lutjen e Engjëllit të Tënzot Benedikti XVI, duke iu drejtuar 40 mijë shtegtarëve, ardhur nga mbarë bota në Sheshin e Shën Pjetrit, në një ditë mahnitëse vjeshte, përplot me vezullimet e të gjitha ngjyrave të stinës së verdhë. Më pas Papa i ftoi besimtarët ta jetojnë me frymë të vërtetë kristiane përkujtimin e besimtarëve të vdekur, që Kisha e kremton sot, më 2 nëntor, me vetëdijen se në varre pushon vetëm pjesa e vdekshme e trupit të të dashurve tanë, në pritje të ringjalljes përfundimtare.
Pastaj, Ati i Shenjtë kujtoi dhjetëvjetorin e Deklaratës së përbashkët katoliko-luterane për Doktrinën e Shfajsimit, gur kilometrik në rrugën ekumenike.
“Mos kini frikë të jeni shenjtorë! Është shërbimi më i mirë që mund t’i bëni vëllezërve tuaj! – kjo ishte thirrja e Papës në Solemnitetin e të Gjithë Shenjtorëve, që – pohoi – e fton Kishën shtegtare mbi tokë të parashijojë festën pa fund të bashkësisë qiellore e të ringjallë besimin në jetën e pasosur:
“Në këtë Vit Meshtarak, më pëlqen të kujtoj, me nderim të posaçëm, meshtarët shenjtorë; si ata, që Kisha i ka kanonizuar, duke i paraqitur si shembuj virtytesh shpirtërore e baritore; ashtu edhe të tjerët - dhe më të shumtë – që i njeh vetë Zoti. Secili nga ne ruan, plot mirënjohje, në zemër, kujtimin e ndonjë meshtari, që na ndihmoi të rritemi në fe e na bëri ta ndjejmë mirësinë e afërsinë e Zotit”.
Benedikti XVI i ftoi, në vijim, besimtarët, ta jetojnë përkujtimin e të gjithë besimtarëve të vdekur, sipas shpirtit të vërtetë të krishterë, domethënë, në dritën që buron nga Misteri i Pashkëve. Krishti vdiq e u ngjall e na hapi shtegun drejt shtëpisë së Atit, drejt Mbretërisë së jetës e të paqes. Kush e ndjek Jezusin në këtë jetë, pranohet atje, ku Ai na parapriu:
“Ndërsa bëjmë vizita në varreza, të mos harrojmë se atje, ndër varre, pushon vetëm pjesa e vdekshme e të dashurve tanë, që presin ringjalljen përfundimtare. Shpirtrat e tyre – siç na kujton Shkrimi Shenjt - janë tashmë në duart e Hyjit (Urt 3,1). Prandaj mënyra më e përshtatshme e më e frytshme është t’i nderojmë duke u lutur për ta, duke kryer vepra feje, shprese e dashurie. Në bashkim me Flijen Eukaristike, mund të ndërmjetësojmë për shëlbimin e tyre të pasosur e të provojmë bashkimin më të thellë, në pritje të ditës, kur do të jemi përsëri bashkë, për të gëzuar, në amshim, Dashurinë që na krijoi e na shpërbleu”.
Papa theksoi, në mënyrë të veçantë, sa e bukur e sa ngushëlluese është bashkësia e shenjtorëve; realitet, që i jep një përmasë krejt tjetër gjithë jetës sonë:
Nuk jemi kurrë vetëm! Bëjmë pjesë në një ‘shoqëri’ shpirtërore, në të cilën sundon solidariteti më i thellë: e mira e secilit, është e mira të gjithëve e, anasjelltas, lumturia e përbashkët rrezaton mbi secilin. Është një mister që, në një farë mase, mund ta provojmë që në këtë botë, në familje, ndërmjet miqsh e, posaçërisht, në bashkësinë shpirtërore të Kishës. Na ndihmoftë Zoja e Bekuar të ecim me shpejtësi në udhën e shenjtërisë e qoftë Nënë e Mëshirës për shpirtrat e të vdekurve”.
Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa kujtoi dhjetë vjetorin e nënshkrimit të Deklaratës katoliko-luterane mbi Doktrinën e Shfajsimit, në Augsburg të Gjermanisë. Më pas Deklarata u pranua edhe nga Këshilli Metodist Botëror. Ishte një ngjarje, që Gjon Pali II e quajti ‘gur kilometrik’ në rrugën, aspak të lehtë, të ribashkimit të plotë të të krishterëve e që dëshmon - theksoi Benedikti XVI – mirëkuptimin ndërmjet luteranëve e katolikëve për të vërtetat themelore të doktrinës së shfajsimit, të vërteta që na çojnë në zemër të vetë Ungjillit e të problemeve themelore të jetës sonë:
“Zoti na mirëpriti e na shëlboi; jeta jonë shkruhet në horizontin e hirit, udhëhiqet nga një Zot i mëshirshëm, që na e fal mëkatin tonë e na fton në një jetë të re, në gjurmët e të Birit; jetojmë në hir të Zotit e jemi të thirrur t’i përgjigjemi dhuratës së tij; gjithë kjo na çliron nga frika e na ngjall shpresë e guxim, në një botë përplot me paqartësi, me ankth, me vuajtje... Shpresoj me gjithë zemër që ky përkujtim i rëndësishëm të ndihmojë për të shpejtuar hapin drejt bashkimit të plotë e të dukshëm të të gjithë dishepujve të Krishtit”.

 
Në përfundim Papa u drejtoi përshëndetjen e tij të përzemërt pjesëmarrësve në ‘Vrapimin e Shenjtorëve’, nismë që bashkon sportin me impenjimin humanitar, si dhe besimtarëve të mbledhur në Paderno Dunjano, pranë Milanos, në përfundim të shtegtimit të Shtatores së Zojës së Fatimës, 50-vjet pasi Italia iu kushtua Zemrës së Papërlyer të Marisë.







All the contents on this site are copyrighted ©.